Zgjimi i vonuar i LDK-së!

Shkruan: Florim ZEQA Në rrethana normale të gjithë do duhej t’i gëzoheshim emërimit të zotit Avdullah Hoti si kandidat i LDK-së për kryeministër të ardhshëm të vendit. Mirëpo, kur...

Shkruan: Florim ZEQA

Në rrethana normale të gjithë do duhej t’i gëzoheshim emërimit të zotit Avdullah Hoti si kandidat i LDK-së për kryeministër të ardhshëm të vendit. Mirëpo, kur e gjithë kjo nuk është rezultat i rrjedhave normale të situatës politike në vend, atëherë duhet të ndjejmë dhembshuri për kandidimin e tij.

Lideri aktual i LDK-së, i vetëdijshëm për humbjen e sigurt të LDK-së në këto zgjedhje si pasojë e katandisjes (së qëllimshme) të këtij subjekti politik, në stilin e tij prej dinaku, e bëri “tërheqjen” taktike duke e futur në lojë “xhokerin” Avdullah Hoti, duke pritur djegien e sigurt të partisë në garën zgjedhore.

Pajtohem plotësisht me konstatimin e atyre që bëjnë krahasime mes një profesori universitar, një njeriu të ndershëm siç është zoti Hoti me Kadri Veselin, njeriun numër një të nëntokës politike dhe ish drejtues i ShIK-ut.

Dallimet janë pakrahasimisht të mëdha mes zotit Hoti dhe Kadri Veselit, por fatkeqësia qëndron tek fakti se Hoti dhe të tjerët, që deri dje ishin në bashkqeverisje me Kadri Veselin për opinionin e gjerë dhe elektoratin rugovian janë figura të djegura politike.

Ngase LDK-ja mbanë përgjegjësi historike për katapultimin e Hashim Thaçit në postin e presidentit, si dhe të faktorizimit të Kadri Veselit në skenën politike.

Po të mos ndodhte tradhtia e shekullit e Isa Mustafës në natën e 19 nëntorit 2014, sot Kosova do të  frymonte ndryshe, vendi nuk do të ndodhej në këtë proces të kurdisur nga nëntoka politike vendore dhe ndërkombëtare, epilogu i të cilit dihet paraprakisht!

Ashtu sikurse kandidimi i zotit Hoti, edhe zgjimi i LDK-së duket të jetë i vonuar për këtë proces të kurdisur zgjedhor nga nëntoka politike vendore dhe ndërkombëtare, epilogu i të cilit dihet paraprakisht!

Si pasojë e egos së pakufishme për pushtet të liderëve partiak, ndërkombëtarët me lehtësi po i realizojnë lëvizjet e figurave në tabelën politike kosovare.

Servilët dhe puthadorët e ndërkombëtarëve e kanë të garantuar pushtetin në gjysmë shtetin e Kosovës.  Ndërsa atdhetarëve dhe mbrojtësve të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit u përgatiten sfida të mundimshme dhe të pakapërdishme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë.

Pas zgjimit të vonuar të LDK-së, brenda këtij subjekti politik kanë filluar të lakohen emra, të anatemuar deri më tani për deputet në radhët e LDK-së.

Këta yryshniket e pushtetit të LDK-së pas humbjes së pushtetit, kur me sytë e tyre e shohin edhe humbjen e sigurt në zgjedhjet e 11 qershorit, sikur ju kanë kthyer legjendave të gjalla të frymës rugoviane, jo për t’i nderuar me privilegje por për interesat e tyre personale në prag të fushatës zgjedhore, për të mbuluar turpin nga dështimet e njëpasnjëshme në qeverisjen e vendit dhe katandisjen partisë që drejtojnë.

Legjenda këto, për të cilat milionerëve të LDK-së  asnjëherë nuk u bie ndërmend a janë gjallë a ku janë, e lërë më për t’i vizituar ndonjëherë, për t’i parë nga afër dhe njohur me kushtet në të cilat jetojnë burrat e mëdhenj të Dardanisë.

U ka rënë ndërmend për të harruarit vetëm tani, kur e kanë punën “pick” për vota. Të bindur se tutje nuk mund të marrin vota në emrin e presidentit historik dhe familjes së tij, tentojnë t’i keqpërdorin dhe marrin votat mbi supet e njerëzve  fisnik, atdhetarëve të guximshëm, që qëndruan pararojë besnike të vizionit rugovian….

Nominimi i Avdulla Hotit për Kryeministër nga radhët e LDK-së është veprim i mençur me plot dinakëri i Isa Mustafës, i  cili këtë e bëri për t’iu ikur kritikave të elektoratit rugovian rreth përgjegjësisë për koalicionin joparimor me PDK-në.

Në masë të madhe ia arriti qëllimit, veprimin politik të çastit e shndërroj në “reformë” partiake duke mashtruar të mashtruarit, por jo edhe ata që i kuptojnë dinakëritë e tij prej një komunisti të rexhur,…sa që disa kaluan në ekzaltim nga gëzimi dhe dëshira për fitoren e LDK-së në këto zgjedhje, duke harruar se janë shumë larg cakut të dëshiruar.

Vet slogani partiak “Shihemi në finale”, i dal nga një fjalim tepër emocional në seancën e fundit të parlamentit tashmë të shpërndarë, dëshmon për mungesën e vizionit dhe kapacitetit për arritjen e qëllimeve politike.

Qëllimet politike nuk arrihen me emocione të çastit, por me vizion të qartë, shkathemi dhe guxim politik, i cili fatkeqësisht i ka munguar dhe i mungon liderit aktual të LDK-së.

Finalja për LDK-në, në të cilën po thirren drejtuesit dhe sejmenët e  tyre partiak pritet të ndodhë në vjeshtë, në zgjedhjet lokale, aty do të matet fuqia e vërtetë politike e secilit subjekt, e determinuar paraprakisht nga përzgjedhja e kandidatëve për kryetar komunash, kur do të jetë balotazhi-finalja për të cilën bëhet fjalë në LDK. 

Se në sa komuna do të hyjë në finale LDK-ja në vjeshtë mbetët për t’u parë, ndërsa zgjedhjet e 11 qershorit 2017, LDK-në do ta nxjerrin partinë e tretë në vend, që i bie se LDK do të jetë jashtë garës për pushtet. Kështu do të ndodhë jo pse po them dhe dëshiroj unë, por pse qëllimi i këtyre zgjedhjeve e arsyeton këtë konstatim logjik.

Si përfundim dua të shtoj edhe këtë, nuk e kam asnjë vërejtje personale ndaj kandidaturës së z. Avdullah Hoti, do të ishte ideal në rrethana normale, por në rrethanat në të cilat është emëruar është pak më tepër se dështim, është një kartë e djegur e në dorën e një njeriu të dështuar.

Andaj, nëse vërtetë aktivistët, veprimtarët dhe elektorati i LDK-së ia dëshirojnë të mirën subjektit të tyre dhe vendit në përgjithësi, duhet të dalin me sloganin e ri partiak për ndryshime “Vazhdojmë pa Isa Mustafën dhe sejmenët e tij”. 

Njiherit, ky do të ishte fillimi i ndryshimeve rrënjësore dhe fillim i mbarë, i cili do të krijonte premisa për fitore të LDK-së në të ardhmen e afërt. Në të kundërtën theqafja dhe katandisja politike e këtij subjekti do të vazhdojnë!

Kategoritë
Opinion
S'ka komente

Komentoni

*

*

Lajme të tjera