Kosova

Zemaj: Sipas dëshmive, Rikalo mund të ketë kryer edhe vepra penale

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se ka dëshmi të cilat ia kanë dërguar qytetarët e lagjes Dardania të Prishtinës, sipas të cilave del se ministri Nenad Rikalo ka qenë i përfshirë në maltretim dhe rrahje të shqiptarëve.

Ai ka komentuar deklaratat e ministrit Rikalo që i ka quajtur gënjeshtra pretendimet e Zemajt, duke thënë se dëshmitë që i ka – dhe ia ka nisur prokurorisë – mund ta implikojnë ministrin edhe në vepra penale, njofton Klan Kosova.

“Përpos që jam deputet i Kuvendit të Kosovës, jam edhe jurist dhe jam i vetëdijshëm për përgegjësinë e fjalës. Ministrin Rikalo kurrë nuk e kam njohur më parë. Por unë kam reaguar si deputet kur një ministri është bërë pjesë e pazareve politike, me njerëz që nuk mund ta menaxhojnë një resor të tillë”.

“Kështu unë jam bombarduar me mesazhe nga banorët e lagjes Dardania që më kanë thënë se ministri ka qenë i përfshirë në rrahje, por edhe ndoshta në vepra penale. Kur unë e kam publikuar fotografinë, llogarit të Facebook të ministrit dhe vëllait të tij janë mbyllur, që do të thotë se ata fshehin diçka”.

“Kam informacione që institucionet tona të drejtësisë kanë arritur të kontaktojnë qytetarët për këtë rast dhe nuk është më detyrë e imja të merrem me këtë cështje. Do të ndjehesha mirë nëse të gjitha këto fakte do të dilnin të pavërteta”.

Komentoni