Sport

Ze Maria: Respekt për Shkumbinin, ne duam fitore

Në javën e katërt të Kategorisë së Parë, Tirana do të udhëtojë në transfertën kundër Shkumbinit. Një takim delikat për të dy ekipet që e shohin vetën sërish përballë njëri-tjetrit pas pesë sezonesh. Bardheblutë deri më tani nuk kanë humbur asnjë ndeshje dhe sigurisht që ndaj peqinasve do të kërkohet të ruhet ecuria pozitive. Në konferencën e tij për shtyp, trajneri i Tiranës, Ze Maria u shpreh se ekipin e pret një takim i vështirë, por bardheblutë janë gati për të shmangur çdo surprizë të pakëndshme.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. Ata kanë arritur të fitojnë dy nga tre ndeshjet e fundit në kampionat dhe janë tre pikë prapa nesh. Sidoqoftë ne duhet të bëjmë ata qe kemi bëri deri më tani, ekipet që duan të na surprizojnë ne nuk duhet t’i lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë. Nuk do të jetë një formalitet për ne. Do të shkojmë atje si Tirana, me të njëjtën dëshirë për të fituar pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Sigurisht pa harruar që kushdo qoftë kundërshtari duhet respektuar.”

Më pas Ze Maria bëri dhe një rezyme të shkurtër për ecurinë e skuadrës gjatë këtyre muajve nën drejtimin e tij. Numri një i stolit bardheblu është i kënaqur për atë çka skuadra po jep, por gjithashtu nuk harron të theksojë se ka vend për përmirësim.

“Katër muaj më parë thashë që Tirana do të luftojë për të arritur të gjithë objektivat që ka përballë. Njërin e arritëm sic ishte fitimi i Superkupës së Shqipërisë.  Në kampionat gjërat po ecin mirë. Në Kupë gjithashtu kemi arritur të kalojmë raundet e para. Gradualisht ekipi po rritet. Nuk jemi në nivele maksimale  duhet ende kohë. Po rritemi dhe duam të vazhdojmë kështu të përmirësohemi sa më shumë që ta arrimë objektivin tonë kryesorë të rikthehemi në kategorinë superior pse jo të fitojmë kupën që është një tjetër objektiv i joni.”

Komentoni