Rajoni

Zaev bisedon me Ahmetin për formimin e Qeverisë së re

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, Zoran Zaev, ka biseduar me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, për formimin e koalicionit qeverisës.

Petre Shilegov, zyrtar i lartë i Social Demokratëve, tha se shpreson që shumë shpejtë të përfundojnë negociatat rreth formimit të Qeverisë dhe vendi t’i kthehet normalitetit.

“Gjatë bisedimeve do të definohen pozicionet e të gjitha partive politike, qoftë përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë në Qeveri duke drejtuar ndonjë Ministri ose mbështetjes politike të qeverisë duke mos u kyçur drejtpërdrejtë në qeverinë e re”, ka theksuar Shilegov.

Ai ka demantuar informacionet se bisedimet kanë hyrë në fazën e ndarjes së dikastereve dhe emrat që përmenden në opinion i ka cilësuar si spekulime.

“Aspak nuk është e rëndësishme ndarja e dikastereve ministrore mes partive politike apo emrat të cilat do ti drejtojnë dikasteret e caktuara. Më e rëndësishme është vendosja e parimeve të funksionimit të shtetit ligjor”, ka nënvizuar Shilegov.

Ndërkaq nga Lëvizja Besa për Radion Evropa e Lirë kanë konfirmuar se janë ftuar në selinë e Social Demokratëve, e cila kryesohet nga Zoran Zaev, për të biseduar rreth mundësisë që kjo parti të jetë pjesë e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Po ashtu, aty theksohet se mbeten në qëndrimin se kusht për të marrë pjesë në Qeveri është mospërfshirja zyrtarëve nën hetime nga Prokuroria Speciale Publike.

“Edhe pse angazhohemi për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme, vendimi përfundimtar do të varet nga rrjedha e bisedimeve”, ka nënvizuar Zeqiria Ibrahimi, deputet i Lëvizjes Besa.

Ndërkaq Arben Taravari nga Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare, e cila kryeson me Aleancën për Shqiptarët, tha për Radion Evropa e Lirë se shpreson që të gjitha subjektet politike, të cilët i dhanë mbështetje Zaevit që të marrë mandatin, do t’i qasen me konstruktivitet formimit të Qeverisë reformatore.

Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë kanë paralajmëruar se pavarësisht rrjedhës së bisedimeve për Qeverinë, në Kuvend do të iniciojnë propozimet e para ligjore të cilat vlerësohen si urgjente.

Ligji i parë të cilin do ta dorëzojnë në procedurë parlamentare është propozim-ligji për heqjen e testimit ekstern.

Pas kësaj ka reaguar VMRO-DPMNE e drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, duke e cilësuar këtë vendim si të papërgjegjshëm dhe që dëmton cilësinë e arsimit.

“Partitë politike në asnjë mënyrë nuk duhet të ulin kriteret që kanë të bëjnë me cilësinë e arsimit. Qëllimi i LSDM-së për tërheqjen e testimit ekstern është mënyrë e trajtimit të një pjese të prindërve si votues potencial, e jo si njerëz të cilëve shteti duhet t’u sigurojë arsim më të mirë për fëmijët e tyre që të jenë më të suksesshëm në jetën e tyre”, ka theksuar Spiro Ristovski, zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së.

Edhe gjatë fundjavës priten bisedime intensive mes partive që përbëjnë shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Komentoni