Opinion

Z. Tërnava, ata që flijohen nuk kanë kohë për t’u betuar për flijim

Shkruan: Dan IBRAHIMI

Është koha e fundit që këtyre liderëve fetarë t’u tregohet rruga e zotit dhe e qytetarisë ligjore. Ata (një pjesë) e tyre, duket se i kanë anashkaluar edhe Zotin si fuqi supreme e edhe normat ligjore të së drejtës së veprimit qytetar.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërrnava ka thënë, sipas “Insajderi. Com”, se nëse nuk do jepet leja për ndërtimin e xhamisë së re në lagjen “Dardania” të Prishtinës, atëherë ai do të jetë i gatshëm të flijohet për këtë xhami.

Gjithnjë sipas insajdeti.com, ai në një intervistë për RTK-në ka pohuar: “Ndoshta shumë shpejt do të vijë dita që të dalim dhe ta nisim xhaminë pa leje dhe atëherë ju bëj me dije se ai që organizon, jam unë. Ai që do të marrë përgjegjësinë jam unë. Nëse dikush do të duhej të flijohej për xhami, jam unë. Nëse dikush duhet të sakrifikohet, jam unë. Por, nuk kam dëshirë të shkojë puna deri aty”.

Është e ditur që edhe parcelën për xhaminë në Dardani e ka marrë nga komuna mbi bazën e presioneve joparimore të tipit që u dashka ndërtuar një xhami madje pranë Universitetit që të jetë mes kishës ortodokse serbe (të ndërtuar dhunshëm nga Millosheviqi në pronën e universitetit D. I.) dhe Katedralës katolike “Nënë Tereza”. Meqenëse atëbotë nga KK i Prishtinës dhe të tjerët nuk u lejua cungimi i pronës universitare si në kohën e Milosheviqit, ndërtimit të xhamisë, që domosdo na u dashka të jetë më e mira dhe më e madhja në Ballkan, i ishte lejuar një parcelë në lagjen “Dardania,” përkundër planit urbanistik që nuk ka paraparë një objekt të tillë. Edhe më e tmerrshme se kjo duket përpjekja për të fituar vota për zgjedhjet lokale e dy partive të qeverisë në detyrë, PDK-LDK, të cilat në bashkësi sulmojnë Vetëvendosjen dhe kryetarin e KK të Prishtinës, Shpend Ahmetin, për vonesën në dhënien e lejes për ndërtimin e superxhamisë në fjalë.

Miopia fetare (mbase edhe politike) e Tërrnavës dhe ambiciet politike e PDK-së dhe LDK-së në këtë rast janë plotësisht në përputhje dhe tregojnë haptas se kur është interesi i tyre, janë të gatshëm t’i prishin barazpeshat fetare dhe laike, qytetare dhe kombëtare duke futur ndërskëmca me të cilat fitojnë liderët por jo qytetarët. Unë nuk jam kundërndërtimit të objekteve fetare pasi ato nuk i shikoj me syrin e këtyre miopëve të cilët me papërgjegjësitë e tyre, i pari fetar dhe të dytët politikë, damkosin seriozisht vetë vlerën e besimit, si një e drejtë shumë individuale e njeriut që nuk guxon të lëndohet.

Mendoj që “turret” e Tërnavës dhe “betimi” i tij për t’u flijuar për xhaminë si Rozafa e bukur për kalanë janë skajshmërisht antifetare, antidemokratike dhe madje antishtetërore pasi Kosova është shtet laik. Zhurmë pa fund për gjërat si xhamia që mund të bëhej pa zhurmë nëse komuniteti musliman e dashka, nxjerrin si rezultat vlerën politike dhe jo nevojën praktike për një objekt kulti më shumë.

Shkoni dhe shikoni “salltanatin” superluksoz si të perandorëve të këtij krye BIK-u dhe do të shihni që parimet e modestisë, të dashurisë dhe të paqes që përcjell Kur’ani nuk duken askund aty. Xhamitë, kishat, sinagogat janë vende në të cilat, dhe nga të cilat duhet të burojë mesazhi mbi raportin e njeriut me Zotin dhe jo raporti i inateve, zilive, përçarjes, flijimeve patetike etj.

I sigurt jam që kryeBIK-u nuk do ta flijonte as një qime luksi që ka për asgjë në botë dhe madje as për raportin njeri-krijues. Ai na flijon ne duke na futur në shpirt jo dashuri hyjnore, por miopi mesjetare. Sikur vërtet të kërkohej flijimi i tij, me siguri do t’i bënte bisht duke pasur alibi madje ajete kuranore. Gjithsesi flijimi i Rozafës do të shpallej poashtu herezi si fenomen, pavarësisht mesazhit dhe pavarësisht flijimit të saj, pa u betuar si Tërrnava.

Xhamia do të ndërtohet sepse është në rrugën e ndërtimit dhe unë do të isha i lumtur të mos i kishte pjesë të historisë së saj idiotizmat e flijimeve dhe të votave. Nuk është mirë kur një tempull fetar politizohet panevojshëm, madje nga ata që janë barinj të tufave, pleq të “mezhlizeve”, mësues të fesë, liderë të partive politike me përgjegjësi institucionale etj.

Komentoni