Lajme

Ymrane Shahiqi zgjedhet koordinatore e Forumit të Gruas së AKR-së në Gjilan

Në vazhdën e procesit të konsolidimit të Forumeve të Aleancës Kosova e Re, në praninë e një numri të madh të grave, është bërë riorganizimi i të Forumit të Gruas në degën e Gjilanit.

Karakteristikë e këtij tubimi ishte pjesëmarrja masive dhe interesimi i dukshëm nga gratë për anëtarësim në AKR.

Në tubim, e pranishme ishte edhe koordinatorja e Forumit te Gruas nga niveli qendror, znj. Mirlindë Gashi si dhe anëtarja e Grupit Punues, znj. Sofie Bunjaku.

Pas formimit të shumë nën-degëve nëpër lagjet dhe fshatrat e Gjilanit, koordinatore e Forumit të Gruas së Aleancës Kosova e Re në Gjilan, u zgjodh Ymrane Shahiqi.

Pas falënderimit për besimin e dhënë, znj.Shahiqi tha se do të angazhohet në promovimin e frymës së AKR-së në mesin e gjilanaseve, duke punuar në fuqizimin e rolit të gruas kosovare, në mënyrë që ajo të jetë bartëse e zhvillimeve politike, ekonomike dhe e të gjitha sferave të jetës shoqërore.

“Problemet që prekin gratë dhe vajzat janë të shumta, mund të përmendim këtu edukimin, punësimin dhe shëndetësinë, por një problem tjetër shumë i theksuar është fenomeni i izolimit social. Për këtë arsye, Forumi i Gruas në AKR, synon të krijojë hapësirë debati, analize dhe trajtimi të këtyre problemeve”, ka thënë Shahiqi.

Në këtë tubim u përzgjodh edhe grupi punues i Forumit të degës, i cili përbëhet nga anëtaret: Vjollca Matoshi, Vana Jerliu-Ramadani, Kaltrina Sylejmani, Merita Hyseni, Klodina Krasniqi, Nazife Behluli, Emine Xhemajli, Flutura Sylejmani, Entela Kamberi dhe Shqipe Masurica. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*