Lajme

Ymeri propozon pesë pika për çështjen e Demarkacionit

Komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi e ka tejkaluar mandatin e tij duke ndryshuar kufirin e Kosovës në vend se ta shënjojë (demarkojë) atë ekzistues. Kjo vijë e re demarkimi përbën kufi të ri, e si i tillë ky veprim përbën cenim të integritetit territorial të vendit duke e dëmtuar Kosovën për 8200 hektarë.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, përmes një konference për media e ka quajtur marrëveshjen aktuale të demarkacionit me Malin e Zi të papranueshme, pasi që ajo është e pasaktë dhe e padrejtë.

Ymeri ka kritikuar metodën e cila është përdorur në këtë rast, metodën kadastrale, të cilën e ka quajtur të padrejtë e të papërdorshme.

Duke theksuar rëndësinë e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, por në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kryetari Ymeri ka kërkuar që të ndërmerren këta 5 hapa në vijim për demarkimin e vijës kufitare:

1.      Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi duhet të shqyrtohet në themel në mënyrë që ajo të jetë në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare publike dhe me parimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe parimin e marrëdhënieve së fqinjësisë së mirë të bazuar në respektimin reciprok të kufijve ndërkombëtar mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

2.      Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta themelojë një komision gjithëpartiak e mbipartiak i cili do t’i trajtojë modalitetet juridike të një rishikimi të tillë, si dhe t’i udhëzojë institucionet kompetente për dialog me palën malazeze për ta arritur këtë qëllim, si dhe një Komision hetimor për Marrëveshjen e 26 gushtit.

3.      Kryeministri i Republikës së Kosovës, përmes një letre zyrtare, të kërkojë nga homologu i tij malazias që të rinegociohet shënjimi i kufirit me Malin e Zi në dritën e fakteve dhe të dhënave të reja. Njëkohësisht të shpreh zotimin institucional e politik të Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe për shenjim të saktë e të drejtë të vijës kufitare e cila e mbron interesin e të dyja palëve, duke e respektuar integritetin territorial të të dyja vendeve.

4.      Kryeministri i Republikës së Kosovës përmes një letre zyrtare të zotohet para institucioneve të Bashkimit Evropian për një zgjidhje të drejtë të shënjimit të kufirit me Malin e Zi, dhe të kërkojë që kjo çështje të mos jetë pengesë për Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, dhe në procesin e integrimeve evropiane në përgjithësi.

5.      Një konferencë shkencore ndërkombëtare në Prishtinë mbi çështjet e demarkacionit të kufirit ku ftojmë profesionistë e ekspertë të vendit e të huaj me përvojë nga kontestet si ai te Gjiri i Piranit midis Sllovenisë e Kroacisë, te Prevllaka midis Kroacisë dhe Malit të Zi, ujërat detare të Jonit midis Shqipërisë e Greqisë etj. Çështja e kufirit ka nevojë për debat të hapur demokratik dhe karakter të theksuar shkencor. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*