Uncategorized @sq

Ymeri: Nëse vazhdon të lihet kështu, Trepça do të bëhet relikt

Kryetari dhe deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, përmes një konference për media kritikoi Qeverinë për mungesë të planifikimit strategjik në zhvillimin ekonomik. Si rrjedhojë po rrezikohet Trepça, duke lënë resurset tona dhe kapacitetet industriale në stihinë e tregut.

Ymeri tha se mungesa e guximit drejtues nga ana e ekzekutivit është shkak që Trepça vazhdon të mbetet peng. Në njërën anë mbeti pa investime e rritje të kapacitet prodhues, e në tjetrën është nën kërcënimin për tjetërsim e ndarje nga Serbia por dhe likuidim e zhbërje nga AKP-ja. Ai e ka quajtur Trepçën motor të zhvillimit industrial.

“Trepçën e cila me kapacitetin e saj mund të jetë motor i zhvillimit industrial e ekonomik të vendit, dhe garantues i bashkimit e integrimit, sot është shndërruar në të kundërtën e saj. Më 2 nëntor të këtij viti saktësisht një muaj nga sot skadon afati i zgjatur me ligj në janar të vitit 2015 kur duhet të fillon likuidimi i Trepçës. Përkundër premtimeve të qeverisë dhe zotimeve përballë minatorëve as strategjia e as ligji nuk janë sjellë në Kuvend gjatë më shumë se 1 viti e gjysmë”, u shpreh Ymeri.

Tutje, ai shtoi se Qeveria në janar të vitit 2015 premtonte se do ta sillte strategjinë dhe ligjin e veçantë për Trepçën në gjysmën e parë të vitit, kurse në gusht e sollën ‘Zajednicën’ dhe kufirin e ri me Malin e Zi.

“Në fillim të vitit 2016 Komisioni për zhvillim ekonomik i Kuvendit kishte shpërndarë 5 raste studimi të ndërmarrjeve të ngjashme sikur studimi i mundësive se si duhet trajtuar Trepça. Të gjitha këto propozonin forma dhe shpejtësi të ndryshme të privatizimit. Ligji për Trepçën nuk është dorëzuar ende në Kuvend. Për më tepër qeveria nuk ka pasur guximin ta thotë asnjë fjalë të vetme për përmbajtjen e ligjit përkundër pyetjes së deputetëve”, shtoi Ymeri.

Ai theksoi se nëse është e vërtetë që ligji do të vijë shpejtë në Kuvend, atëherë ai do të duhej të ishte i shkruar deri tash. Dhe nëse është kështu, ai tha se mbetet enigmatike se pse nuk flet qeveria për përmbajtjen e tij. 

“Trepça, Minierat, metalurgjitë, dhe industrinë kimike në bazë të gazrave metalurgjike duhen organizuar në ndërmarrje të veçantë publike. Kështu shteti e merr drejtpërdrejt edhe kompetencën dhe përgjegjësinë për ta zhvilluar atë. Nuk ka investim më të mençur sot dhe më me ndikim në krijimin e një baze të qëndrueshme prodhuese industriale për Kosovën se sa investimet në Trepçë dhe energji”, deklaroi ndër të tjera, kryetari i VETËVENDOSJE!-s.

Ymeri theksoi rëndësinë e aktivizimit të metalurgjisë dhe kapaciteteve përpunues të metaleve, gjë që do të shtonte kapacitetin prodhues industrial industrisë minerare nxjerrëse. Si dhe aktivizimin e industrisë kimike për prodhimin e plehrave artificial dhe kimikateve të tjera për ta lidhur me nevojat e zhvillimit të sektorit të bujqësisë.

“Buxheti i Republikës së Kosovës, kreditë afatgjata financiare dhe në pajisje, donatorët e mundshëm nga jashtë, janë burime financiare të cilat duhet eksploatuar për investimet emergjente kapitale në revitalizimin dhe përmirësimin e kushteve e produktivitetit të minierave, flotacionit, metalurgjive të Trepçës. Bashkimi i Trepçës veriore me atë jugore është i domosdoshëm për rivitalizimin e ndërmarrjes por edhe për potencialin e saj për të tërhequr investime direkt në segmentet e përpunimit industrial si dhe për funksionimin e duhur të kapaciteteve eksploatuese në miniera”, përfundoi Ymer. /KI/

Komentoni