Kosova

Ymeri e konsideron brutale ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një shënimi në facebook, ka reaguar pas protestës së sotme në Mushtishtë.

Ymeri, intervenimin e policisë ndaj protestuesve, e ka cilësuar “brutal”, duke theksuar se ata qytetarë kanë të drejtë të plotë në shqetësimet që i kanë ngre qatë protestës.

“E dënoj fuqishëm intervenimin brutal të Policisë së Kosovës ndaj banorëve të Mushtishtit dhe të Gjakovës të organizuar në protestë. Banorët e Mushtishtit dhe të Gjakovës kanë plotësisht të drejtë në shqetësimet që po i ngrenë përmes protestës. Kriminelët e luftës të policisë e ushtrisë së Serbisë që vranë, masakruan, dhunuan e shkatërruan jetën e pasurinë e tyre nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë. Ndërkohë që kthimi i serbëve të Kosovës për të jetuar në vendin e tyre nuk bën të instrumentalizohet nga Serbia për qëllimet e veta koloniale”, ka thënë Ymeri në një postim në Facebook.

Më tej, Ymeri ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kthehen të jetojnë në vendlindjen e tyre, në pronën e tyre, në fshatin e qytetin e Kosovës ku kanë jetuar më parë pasi që kjo, sipas tij, është e drejtë universale e mirënjohur ndërkombëtarisht që secili e gëzon pa dallim kombësie a feje.

“Këtu nuk ka dyshim”, tha ai, por shtoi se “duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si. A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale”.

“Ne as nuk kemi pasur e as nuk kemi problem me serbët, por kemi pasur e kemi problem me Serbinë. Ky kthim i serbëve nuk bën të udhëhiqet nga Serbia, dhe nën kushtet e saj. Banorët e Mushtishtit janë të shqetësuar se kthimi i serbëve në pjesë të caktuara të fshatit ka për qëllim ndarjen e një pjese të Mushtishtit për ta zgjeruar kështu kufirin e ‘Zajednicës’. Ngjashëm me kërkesën për komunë të Prilluzhës. Serbia do t’i kthejë serbët aty ku i leverdis planeve koloniale të saj, për t’i shndërruar kështu të kthyerit në instrument politik që ia gërmon bazën Republikës së Kosovës. Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’”, ka përfunduar Ymeri. 

Komentoni