Sport

Xhaka dhe Ajeti në formacionin e javës në Zvicër

Taulant Xhaka dhe Albian Ajeti janë dy shqiptarët që shkëlqyen në fundjavë në Superligën zvicerane. Dyshja e Baselit ishte protagoniste absolute në fitoren 2-1 përballë Thun, me skuadrën që vazhdojë ti bëjë presion Young Boys-it kryesues.

Taulant Xhaka ishte thjesht i shkëlqyer në mesfushë. Pas ndeshjes në Moskë, ku shënoi golin e parë të karrierës në Champions dhe ishte më i miri në fushë, kuqeziu bëri që prezenca e tij të ndihej edhe në duelin e së shtunës në kampionat.

Po aq i rëndësishëm ishte edhe Albian Ajeti, vëllai i vogël i Arlind Ajetit, nga i cili Christian Panuçi pret sinjale pozitive për t’iu bashkuar sulmit të Kombëtares shqiptare.

20-vjeçari vrapoi, krijoi hapësira dhe në minutën e 61-të realizoi golin e dytë të ndeshjes për Baselin, që rezultoi edhe rrjeta e fitores përballë Thun-it .

Ky ishte goli i dytë i Albian Ajetit prej rikthimit te Baseli, ndërsa në javët e para të këtij edicioni në Superligën zvicerane sulmuesi kishte realizuar edhe 3 gola në shtatë ndeshje me fanellën e St. Gallen.

Komentoni