Ekonomi

Xhabir Zharku ia sheh “hajrin” arratisë, merret me biznes në Suedi

I arratisuri Xhabir Zharku ndihet komod në arrati, pa frikën se mund të kapet nga autoritetet kosovare. Në Suedi ku është arratisur para 45 muajve, përveç pjesëmarrjes në aktivitete të organizuara nga Qeveria e Kosovës, ka nisur të merret edhe me promovimin e biznesit të tij.

Ai nëpërmjet Facebookut tregon se X-Fort, kompania e prodhimit të materialit ndërtimor e themeluar nga ai, ka “shpërthyer” në tregun suedez.

Jeta në arrati nuk e ka dëmtuar asgjë Xhabir Zharkun, ish-kreun e Kaçanikuat. Ai nuk e ka pasur fatin e keq të shumë kriminelëve që në arrati jetojnë nën frikën se mund të kapen nga autoritetet dhe do të përfundojnë në burg. 

i_1475483951-8120960

Zharku ka bërë 45 muaj jetë në arrati prej se iku nga Kosova në drejtim të Suedisë, në dhjetor të vitit 2012. Nga atje shfaq publikisht veprimet e tij në Facebook. Një prej tyre është edhe marrja me biznes, ndonëse është i dënuar me tri vjet burg për shkak të kryerjes së veprave penale- detyrim dhe armëmbajtje pa leje.

Vepra penale e kryer nga Zharku ka të bëjë pikërisht me biznes. Zharku ka detyruar disa biznesmenë që të tërhiqen nga një tender privatizimi, në mënyrë që të përfitojë ai dhe miqtë e tij.

Por, më 25 gusht të këtij viti, Xhabir Zharku ka shpërndarë në Facebook një postim të kompanisë X-Fort, të cilën e ka themeluar para se të arratisej. Postimi tregonte se kompania nga Kaçaniku, e cila merret me prodhimin e materialeve të ndërtimit, ka arritur të shpërthejë në tregun suedez.

Fotos që tregon arritjen e dërgesës së mallrave në Suedi, kompania ia ka bashkëngjitur hashtagun e njohur “unëjammadeinkosovo”. Postimi i kompanisë po ashtu tregon se distributor për Suedi i kompanisë nga Kaçanikut është Alba X-Fort.

Insajderi ka pyetur Xhabir Zharkun dhe djalin e tij, Mërgimin, lidhur me distributorin e tyre dhe “shpërthimin” në tregun suedez. Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë përgjigje. Kompania X-Fort aktualisht figuron në pronësi të Mërgim Zharkut, djalit të Xhabir Zharkut dhe Sali Selmanit.

ii_1475483957-6079178

Para se ish-kryetari i Kaçanikut të arratisej dhe mbante këtë pozitë deklaronte se ka 50 për qind të aksioneve në këtë kompani. Pjesa tjetër i përkiste Sali Selmanit. Xhabir Zharku dhe djali i tij nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me ndërrimin e pronësisë në X-Fort.

Kjo kompani është themeluar në vitin 2000. Merret me prodhimin e materialit ndërtimor që përfshin llaqet, ngjitës për qeramikë, ngjitës për termoizolim, fasadë dekorative minerale etj.

Bazuar në të dhënat e autoriteteve doganore kompania e themeluar nga Xhabir Zharku realizon eksporte në vende të ndryshme të Evropës, përpos Suedisë ku ka ikur ish-kryetari i Kaçanikut.

“Kompania në fjalë realizon eksporte në shumë vende evropiane duke filluar nga vendet e rajonit si dhe në vendet evropiane dhe ato skandinave”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Promovim të biznesit dhe pjesëmarrje në festa të organizuara nga Qeveria e Kosovës

Përzgjedhja e Suedisë nga Zharku nuk ka qenë e rastësishme. Ai është shtetas suedez. Kosova dhe Suedia nuk kanë ende marrëveshje për ekstradimin e shtetasve të tyre.

Nëse Zharku nuk kapet nga autoritetet policore kosovare deri në dhjetor të vitit 2018, atëherë ai mund të kthehet në Kosovë dhe të jetojë lirshëm.

Kjo pasi që legjislacioni mundëson që nëse i dënuari nuk mund të kapet për një periudhë kohore dyfish më të madhe sesa dënimi, atëherë parashkruhet dënimi me burgim.

Ndërkohë, Xhabir Zharku përpos komoditetit për të promovuar biznesin e tij ka marrë pjesë edhe në ndeja të organizuara nga Qeveria e Kosovës. Kjo kishte ndodhur më 28 nëntor të vitit 2015.

Kohavisioni kishte raportuar se Zharku ishte i pranishëm në një aktivitet të organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare e Suedisë, pjesë e Ministrisë së Diasporës. Aktiviteti ishte organizuar për nder të festës së ‘28 Nëntorit’. I pranishëm në aktivitet ishte edhe zv/ministri i atëhershëm i Kulturës, Hajdin Abazi.

Pjesëmarrjen e të arratisurit nga drejtësia në këtë aktivitet, e kishte arsyetuar Valon Murati, ministër i Diasporës. Pati pohuar se Zharku është qytetar i lirë suedez dhe se mund të jetë pa problem i pranishëm në aktivitete të tilla.

“Xhabir Zharku ka marrë pjesë në një aktivitet që është organizuar në qendrën kulturore në Suedi, në një aktivitet të hapur ku kanë qenë 200 persona, ku ftesat kanë qenë publike dhe ku ai ka ardhur, është paraqitur dhe është ulur në atë aktivitet”, pati thënë Murati në janar të këtij viti, në emisionin “Ekonomia me Erëzën” në Kohavision.

Kërcënimi dhe “depoja” e armatimit e Zharkut

Zharku kishte përmendur Suedinë edhe gjatë seancave gjyqësore kundër tij. Nuk kishte zbuluar se do të arratisej, por e kishte lavdëruar për sistemin gjyqësor. Kishte pohuar se gjyqësia suedeze do të shpërfillte akuzat kundër tij, që në nisje të hetimit.

“Unë jam edhe shtetas suedez dhe po ju garantoj që për këso veprash në Suedi vetëm merren në pyetje dhe kalojnë. Ditën e mirë”, kishte thënë Zharku pas vendimit të marrë nga Gjykata Supreme, e cila vërtetonte dënimin e shkallës së parë për Zharkun që peshonte tri vite burg dhe 1 mijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Shkalla e parë kishte provuar se Zharku dhe të tjerët kishin detyruar të dëmtuarit të tërhiqeshin nga një tender privatizimi të vitit 2006. Aktakuza e ngritur ndaj Zharkut dhe të tjerëve tregon për veprimet që ka kryer grupi në verën e para dhjetë vjetëve.

Zharku dhe të tjerët, bazuar në aktakuzë, kishin vepruar në mënyrë të organizuar mes datave 26 korrik dhe 1 gusht të vitit 2006. Veprimi i tyre i organizuar kishte dëmtuar Shefket Lurin, Xhelil dhe Azem Sumën.

Të tre ishin kërcënuar se do të vriteshin nëse nuk tërhiqeshin nga tenderi i fituar në AKM në valën e 16-të, për privatizimin e një ferme delesh. Kjo fermë me sipërfaqe prej 32 hektarësh gjendej në fshatin Rakaj të komunës së Ferizajt.

Zharku me shokë i kishin shkuar në shtëpi Xhelil Sumës. Në aktakuzë, vizita nuk përshkruhet si miqësore.

“Do të ketë gjak nëse nuk tërhiqen nga tenderi”, ishte kërcënimi që grupi i Zharkut ia kishte bërë blerësve të fermës.

Blerësit ishin zmbrapsur. I ishin drejtuar autoriteteve për kërcënimet që kishin marrë.

Kur policia kishte bastisur shtëpinë e ish-kreut të Kaçanikut, kishte vërejtur se Zharku i kishte mundësitë për ta realizuar një kërcënim të tillë.

Ishte i pajisur “deri në dhëmbë” me armatim. Posedimi i kësaj sasie të armatimit ishte veprim i pazakonshëm për një kryetar komune, të votuar nga qytetarët.

Bastisja kishte bërë më 4 nëntor 2008, dhe aty ishin gjetur sasi eksplozivi, murtajë 88 milimetërshe, një mjet shpërthyes, një sasi e konsiderueshme plumbash, gjashtë karikatorë, një pistoletë “Zastava”, pushkë automatike “AK 47” si dhe dy armë automatike të tipit “MPT 9”.

Komentoni