Rajoni

VV: Vendimi për importin e plehrave i takon popullit

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi mbrëmë vonë, me më pak se gjysmën e deputetëve (vetëm 63 vota PRO), projektligjin për disa ndryshime për menaxhimin e integruar të mbetjeve, duke legalizuar importin e plehrave në Republikën e Shqipërisë. Votimi ndodhi në kohën kur jashtë Kuvendit protestohej kundër këtij projektligji.

“Kujtojmë se në fillim të vitit 2012, mbi 60,000 qytetarë të Republikës së Shqipërisë patën nënshkruan peticionin që kundërshtonte ligjin e atëhershëm për importin e plehrave, me synimin për të mbajtur një referendum mbi këtë ligj përmes nismës qytetare.  Referendumi nuk u zhvillua sepse qeveria e re e formuar pas zgjedhjeve të vitit 2013 vendosi t’i ndalonte të gjitha rastet e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë, nisur nga kundërshtimi dhe shqetësimi i madh i qytetarëve ndaj këtij ligji. Mbrëmë, përmes miratimit të projektligjit për importin e plehrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e ka shpërfillur vullnetin e qytetarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet shqetësimit të rishprehur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë lidhur me miratimin e projektligjit për importin e plehrave. Natyra, territori, nëntoka, ajri, ujërat, janë të kufizuara, të fundme e të pakthyeshme. Trajtimi i tyre është përgjegjësi kombëtare, pasi ato janë shtëpia e përbashkët e kombit. Aventurizmi i interesit privat në këto terrene politike pashmangshmërisht publike duhet ndalur. Nga ana tjetër, dështimi në krijimin e një ekonomie prodhuese e lë vendin nevojtar, dhe nevojtarët shpesh janë gati të pranojnë propozime të këqija biznesore. Qeveria e Shqipërisë nuk duhet të veprojë si nevojtare përballë joshjes së investitorëve në këto industri të rrezikshme, por duhet ta kanalizojë kapitalin privat drejt rrugës së ngadaltë por më të leverdishme për publikun, që janë sektorët e prodhimit vendor, bujqësia dhe industritë që respektojnë ambientin.

Një çështje kaq e rëndësishme nuk prek vetëm bizneset dhe punëtorët e angazhuar në importin dhe përpunimin e mbetjeve, por ka potencialin të ndikojë drejtpërdrejt negativisht mbi ambientin, ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve. Rrjedhimisht, vendimi për një çështje kaq madhore i takon dhe duhet të merret nga populli”. /KI/

Komentoni