Lajme

VV: Vendimet e Qeverisë po e shndërrojnë Kosovën në një minierë thëngjilli

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, dhe Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, folën në lidhje me një zhvillim të rëndësishëm në rrafshin e ekonomisë, konkretisht për vendimin me të cilin qeveria miraton kërkesat për shfrytëzim të thëngjillit nga kompania Sharrcem dhe për hulumtim nga kompania Envidity.

Kryetari Ymeri i vlerësoi këto vendime në dëm të interesit ekonomik të vendit, si dhe në kundërshtim me çfarëdo procedure demokratike. Ai tha se Qeveria, përkatësisht ministri Avdullah Hoti, nuk bëri kurrfarë prezantimi serioz apo të detajuar të këtyre dy projekteve, ndonëse secili nga projektet ka impakt të madh në jetën e qytetarit të Kosovës.

“Secili nga projektet ka një impakt të jashtëzakonshëm në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Po ashtu këto dy vendime i vendosin linjat dhe kahen e zhvillimit industrial të Republikës së Kosovës dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi”, theksoi Ymeri, duke shtuar se asnjë qeveri nuk mund ta marrë një vendim të tillë, i cili e shndërron Kosovën në një minierë të madhe të nxjerrjes së thëngjillit, pa pasur një diskutim afatgjatë publik dhe pa i ravijëzuar qartë përfitimet publike karshi dëmeve që sjellin këto.

Ymeri sqaroi se me zbatimin e këtij vendimi, Kosovës i cënohet interesi në dy aspekte, ku së pari përfitimi i Kosovës është shumë i vogël duke pasur parasysh që i vetmi përfitim vjen nga tatimet që është i vlerës minimale, dhe së dyti këto projekte kanë impakt minimal në punësim.

Ai më tej shtoi se ministri Hoti ka deklaruar në Komisionin parlamentar se këto projekte plotësojnë kushtet që konfirmojnë interesin publik të vendit, por ai shtoi se projektet nuk plotësojnë asnjë kusht, meqë ndikojnë negativisht në mjedis dhe në cilësinë e jetës së qytetarit në përgjithësi. Si dhe, shkakton dëm të madh në cilësinë e ujërave nëntokësore.

“Kjo mendësi qeverisëse që e kemi të instaluar që 17 vite në Kosovë, përmes vendimeve të tyre ad hoc dhe përmes mungesës së çfarëdo plani afatgjatë zhvillimor ekonomik, po e dëmtojnë dhe po e cenojnë seriozisht të ardhmen e këtij vendi”, deklaroi Ymeri.

Kurse Naim Hoxha tregoi që kompania Envidity ka parashtruar kërkesat për licenca hulumtimi qysh në vitin 2013, kurse Qeveria e Kosovës nuk e ka involvuar asnjëherë këtë në strategjinë e saj zhvillimore.

Hoxha tha se arsyetimet e Ministrit të Financave, Avdullah Hoti, janë qesharake e të paarsyeshme, duke theksuar që sipas deklarimeve të tij, se kjo çështje do të ketë impakt në punësim, rezulton në anën tjetër që 30 milionë euro do të kushtojnë 80 vendet eventuale pune që mund të hapen, e që i bie 375 mijë euro për një vend pune.

“Kërkesa që të mos respektohen procedurat e konkurrimit është praktikisht kërkesë që bie ndesh me pikën ku thuhet se do të rritet transparenca dhe konkurueshmëria. S’mund të ndodh kur është krijuar monopol i caktuar për përdorimin e thëngjillit”, tha Hoxha ndër të tjera.

Në fund, vendimi u quajt i shpejtë dhe i paarsyeshëm, dhe u kërkua që të kthehet në pikën zero, duke deklaruar se Trepça dhe thëngjilli i vendit janë dy themele për zhvillimin e Kosovës, pa kapitalizmin e të cilave pamundësohet zhvillimi. Vendime të tilla, po shndërrojnë ekonominë e Kosovës në ekonomi nxjerrëse dhe kështu po e pengojnë shfrytëzimin e resurseve për nxitjen e një projekti të industrializimit të vendit dhe rritjen e bazës së prodhimit që do ta kushtëzonte mbetjen e vlerës së shtuar brenda ekonomisë së Kosovës dhe në dobi të popullit të Kosovës. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*