Lajme

VV: Shpifjet e LDK-së nuk ndalin mobilizimin qytetar me 1 shtator

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media, ka thënë se shpifjet e LDK-së nuk ndalin mobilizimin qytetar më 1 shtator, kur edhe do të mbahet protesta kundër marrëveshjes së Demarkacionit.

“E vetëdijshme për të këqijat që i ka sjellë e po i sjellë këtij vendi, Lidhja Demokratike e Kosovës është bërë paranojake, dhe po reagon ndaj çdo formë të kritikës që i bëhet pushtetit dhe ndaj çfarëdo thirrjeje për mobilizim qytetar. Përmes një kumtese tjetër, të mbushur fund e krye me shpifje, LDK po akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për një video-material prej ku bëhet thirrje për të dalë në protestën e 1 shtatorit, e për të cilin thotë se është thirrje për vrasje publike. E këto akuza, LDK i bën nga nënsqetulla e PDK-së, kreun e të cilës dikur e quante vrasës e kriminel, teksa sot vepron nën urdhrat e tij dhe ka mbetur asgjë më shumë se një degë e PDK-së”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes njoftimit i bën thirrje LDK-së që të ndalojë fabrikimin e shpifjeve dhe në vend të kësaj, të sqarohet dhe të japë përgjegjësi, për siç thonë ata, për krimin 13 vjeçar në Prishtinë, dhe skandalet e shumta prej se udhëheq me Qeverinë.

“E në vend që ta luajë avokatin e ShIK-ut dhe PDK-së, t’i jep fund koalicionit me këtë parti. Ndërsa sa i përket protestës së 1 shtatorit, i sjellim në vëmendje LDK-së dhe Qeverisë së Kosovës, se ashtu siç nuk u ndal mobilizimi qytetar gjatë protestave të janarit dhe shkurtit, e paefektshme do të jetë propaganda edhe kësaj here. Qytetarët e pakënaqur dhe të shtypur nga kjo qeverisje e keqe, do ta thonë fjalën e tyre me 1 shtator kundër demarkacionit dhe kundër kësaj qeverie kriminale”, thuhet në njoftim të LVV. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*