Kosova

VV: Sharri po kërkon ndryshim me 22 tetor, atë e mundëson Samedin Dauti

Gjatë ditës së sotme, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka vazhduar aktivitetet zgjedhore në komunën e Sharrit. Në tubimin qendror elektoral të mbajtur në këtë qytet ishin të pranishëm Kryetari Visar Ymeri, deputetët Albin Kurti e Drita Millaku, të cilët së bashku me kandidatin për kryetar të Sharrit, Samedin Dauti, ftuan për mobilizim qytetarët e kësaj komune, për ta mundësuar ndryshimin e domosdoshëm me 22 tetor.

Gjatë këtij tubimi, u theksuan vështirësitë e kësaj komune që janë pasojë direkte e keqqeverisjeve të pasluftës, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e rrjetit të kanalizimit, dëmtimi i pyjeve dhe relievit të kësaj komune në përgjithësi, ishin disa nga problemet që u potencuan në këtë tubim, e më të cilat qytetarët në Sharr ballafaqohen përditë.

Po ashtu, duke potencuar potencialin që ka kjo komunë për bujqësi e turizëm, u përmenden edhe mungesa e përkrahjes për bujqit dhe  mosmirëmbajtja e mungesa e investimeve në pikat turistike të Sharrit, si Brodi, Zaplluzha e Liqeni Breznës. Njëzëri u potencua si mjaft shqetësuese edhe mungesa e shkollës profesionale në këtë komunë, dhe si mjaft problematike u konsiderua edhe mungesa e transportit fshat-qytet, gjë që thellon ndarjen dhe pabarazinë mes qytetarëve.

Për zgjidhjen e këtyre problemeve të shumta, u theksua domosdoshmëria për një qeverisje e cila ka mendësi të re dhe e cila ka prioritet përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit. Për këtë, Kryetari Ymeri dhe deputetët Kurti e Millaku, ftuan qytetarët e Sharrit që të ia japin besimin kandidatit për kryetar, Samedin Dauti, dhe kandidatëve për Kuvendin Komunal. Për këtë të fundit u tha se është njeri i dijshëm, i ndershëm, punëtor e plot vullnet për ta transformuar Sharrin, dhe për ta bërë një komunë ku ka zhvillim e përparim.

Ndërkaq, vetë Dauti, premtoi se të gjitha keto probleme do të marrin fund me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, duke prezantuar më tej 10 zotimet e tij dhe të ekipit të tij për Sharrin. Për fshatrat Brezne dhe Brodesanë, Samedin Dauti u zotua se gjatë mandatit të tij do ta kenë të zgjidhur problemin e rrjetit të kanalizimit dhe funksionalizimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare. Këtë të fundit, ai tha se do ta bëjë të mundur edhe në Bellobrad, Brod dhe Restelicë.

Ai po ashtu u zotua për hapjen e dy çerdheve të reja me bazë në komunitet, shujta falas për nxënësit e shkollës fillore dhe transport falas për atë nxenës që banojnë larg shkollave të tyre. Dauti u zotua edhe për rivitalizimin e Pallatit të Kulturës “Abdurrahman Gërdellaj”, për treg të prodhimeve vendore, park e kënde lojërash për qendrën e qytetit, si dhe tha që do të ketë transparencë radikale përgjatë gjithë kohës sa ai do të jetë në krye të Komunës së Sharrit.

Në fund, Samedin Dauti, prezantoi edhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Sharrit, të cilës iu referua si lista e njerëzve që do ta jetësojnë ndryshimin e madh në Sharr, e për të cilët kërkoi votë nga bashkëqytetarët e tij. /KI/

Komentoni