Lajme

VV kërkon lirimin e studentëve të arrestuar

Pasi arrestimit të disa studentëve, anëtarë të Lëvizjes Studim, Kritikë, Veprim brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një komunikate, VV ka thënë se policia nuk mori asnjë intervenim as kur zyrtarët e manastirit të Gracanicës u futën në këtë objekt dhe filluan punime për rinovimin e tij.

Sipas VV-së, sjellja e policëve është shqetësuese dhe e papranueshme, pasi që, sic thuhet në komunikatë, kjo polici po i shërben klanit Pronto për interesat e Serbisë.

Lexoni reagimin e plotë të VV-së:

Asnjë intervenim nuk ndërmorri kjo polici disa ditë më herët, kur zyrtarë të manastirit të Graçanicës, jashtëligjshëm u futën në këtë objekt dhe filluan punimet për rinocimin e tij.

Lëvizja VETËVENDOSJE!  e dënon ashpër intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët thjeshtë vendosën një pano prej letre para kësaj kishe. Ky objekt, i ndërtuar gjatë regjimit të Millosheviqit, simbolizon planet e tij për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe uzurpon hapësirën e Universitetit të Prishtinës.

Është shqetësuese dhe e papranueshme që Policia të vazhdojë shërbimin me aq përkushtim ndaj klanit Pronto e për interesat e Serbisë. E në anën tjetër të jetë aq shtypëse e brutale ndaj kujtdo që ngrit zërin e angazhohet për interesin e shtetit dhe kombit tonë.

Bëjmë thirrje për lirim të mënjehershëm të studentëve të arrestuar dhe ftojmë Policinë që të mos vazhdojë me këto veprime që po kontribuojnë që Kosova të shndërrohet në shtet autoritar në shërbim të Serbisë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*