Opinion

VV-ja fituese morale e zgjedhjeve të 11 qershorit!

Shkruan: Florim ZEQA

Parimet e shëndosha dhe fjala e lirë nuk blihen në Pazar

Në Kosovën e pasluftës, si pasojë e egos së pakufishme për pushtet të liderëve partiak, ndërkombëtarët me lehtësi i kanë realizuar dhe po i realizojnë lëvizjet e figurave në tabelën politike kosovare.

Servilët dhe puthadorët e ndërkombëtarëve e kanë të garantuar pushtetin në gjysmë shtetin e Kosovës. Ndërsa atdhetarëve dhe mbrojtësve të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit u përgatiten sfida të mundimshme dhe të pakapërdishme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë.

Mungesa e një konsensusi nacional mes forcave politike shqiptare, ka prodhuar efekte tepër negative në rrafshin politik dhe diplomatik të shtetit tonë.

Qëndrueshmëria dhe konsistimi i partive në vijat e tyre programore do të bënte të pamundur lëvizjet e padëshiruara politike në raport me fqinjët tanë, siç janë Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave serbe në veri të vendit.

Pas certifikimit të koalicioneve parazgjedhore dhe partive politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, për herë të parë në Kosovën e pasluftës i kemi përballë njëra-tjetrës dy koalicione të mëdha dhe një subjekt të pozicionuar në vijat e saj programore (VV-në).

Parallogaritjet e para tregojnë qartë se grumbullimi i 13 partive në një koalicion të gjerë (PAN) është bërë për të arsyetuar vjedhjen industriale të votave, ndërsa koalicioni i të dështuarve politik (LDK-AKR me individë po ashtu të dështuar) në krye më Isa Mustafën (thyerësin e shpresave për ndryshim në LDK), për qëllim ka shpërndarjen e përgjegjësisë për humbjen e sigurt në zgjedhje.

Fiasko në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit do të pësojnë ato parti, liderët e të cilëve i kanë shkelur “vijat e kuqe” si dhe ato parti që kanë devijuar nga programet e tyre politike duke u bashkuar me parti tjera (qofshin të vogla apo të mëdha) të cilat kanë orientime dhe programe politike diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën.

Thënë ndryshe, të gjitha partitë me përjashtim të Lëvizjes Vetë vendosje u bënë “Përrallë me tupan”, duke vrapuar pas pushtetit në gjysmë shtet!

E vetmja parti politike e cila u qëndroi besnik parimeve dhe elektoratit të saj, është Lëvizja Vetëvendosje, duke mbrojtur parimet dhe deklarimet publike, elemente këto që do ta bëjnë këtë subjekt akoma më unik dhe më kredibil para elektoratit kosovar. Rritja dhe konsolidimi i VV-së do të fuqizohen akoma më shumë, duke krijuar kështu kapital të qëndrueshëm politik për zgjedhjet e radhës lokale (të përgjithshme) të vjeshtës së këtij viti.

Elektorati kosovar, i lodhur nga mashtrimet, varfëria dhe denigrimi social, pritet t’i ndëshkojë ato parti politike dhe liderë partiak që shkelën “vijat e kuqe” për të ardhur në majat e pushtetit. 

Politikanë i mirë dhe i përgjegjshëm llogaritet ai liderë partiak i cili u qëndron besnik parimeve dhe që rrugëtimin e tij e bazon në “staza” të gjata e jo në caqe të shkurtra.

Lum ajo parti dhe ai liderë që qëndron i palëkundur në qëndrimet dhe parimet e tij politike.

Me qëndrueshmërinë dhe konsistencën në parimet e saj, VV-ja kësaj radhe u ka dhënë leksion të ashtuquajturave parti të mëdha, të zvogëluara në vlera dhe parime demokratike. 

Vlen për t’u theksuar edhe një element mjaft përmbajtësor për VV-në. Për dallim nga të gjitha subjektet garuese për zgjedhjet e 11 qershorit, e vetmja është Lëvizja Vetëvendosje që nuk e ka harruar Diasporën, duke futur në listën zgjedhore për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës përfaqësuesin e mërgatës shqiptare, veprimtarin e devotshëm të çështjes kombëtare, zotin Xhafer Berisha me qëndrim të përkohshëm në Firence të Italisë. 

Për fund edhe një konstatim në parashikim, përderisa tre legjislaturat e fundit të kuvendit përfunduan pa shkelur në vitin e katërt të punës së tyre, qeverisja e re pritet të përfundojë shumë më shpejtë, ndoshta brenda 100 ditshit të parë të punës së saj, dhe atë për arsye të shumta.

Pavarësisht rezultatit final, Lëvizja Vetëvendosje tashmë është fituese morale e zgjedhjeve të 11 qershorit, mbase pas zgjedhjeve do t’ua prishë edhe llogaritë për pushtet fituesve fiktivë të zgjedhjeve të kurdisura paraprakisht. 

Kjo mbase do t’i detyroj pushtetarët e deridjeshëm, që për vazhdimin e qeverisjes me vendin të trokasin sërish në dyert e “Lista Srpska” duke e mjegulluar akoma më tepër të ardhmen e vendit nesër.

Komentoni