Kosova

VV: Agron Avdijaj – emri i ndryshimit të madh në Istog

Në ditën e njëzëtedytë të fushatës zgjedhore, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim qendror në Istog. Prej aty u shpreh gatishmëria për ndryshimin e madh të 22 Tetorit dhe u prezantuan  15 zotimet që do ta bëjnë të mundur atë në këtë komunë, e cila që nga paslufta udhëhiqet nga LDK-ja.

Tubimin e hapi deputetja Donika Kadaj, e cila solli në vëmendje humbjen e LDK-së në Prishtinë në vitin 2013, dhe shtoi se edhe në Istog po ikë koha e kësaj partie. Kurse, për kandidatët e AAK-së dhe PDK-së tha se nuk i afrohen për nga përgatitja profesionale kandidatit për kryetar nga VETËVENDOSJE!, Agron Avdijajt.

“Ne kemi një plan me zotime konkrete që e çliron Komunën dhe gjithë potencialin njerëzor të Istogut. Ata kanë secili nga një plan individual që e shtrydh potencialin njërëzor të Istogut për t’u pasuruar ata me familjet e tyre. Ata synojnë paranë, prandaj synojnë pushtetin, për të bërë vetë më shumë para. Ata janë biznesmenë që kanë hyrë në politikë për të rritur bizneset e tyre. Ne synojmë barazinë dhe drejtësinë mes qytetarëve, zhvillimin ekonomik që nuk lë prapa e të harruar askënd”, ka thënë në Istog deputetja Kadaj.

Pas Kadajt, istogasve iu është drejtuar Nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila tha se fryma e ndryshimit po shpërndahet në gjithë vendin. Ajo përmendi rritjen e madhe të VETËVENDOSJE!-s në zgjedhjet e 11 Qershorit, dhe u shpreh se kjo rritje do të jetë edhe më e madhe me 22 Tetor. Ndërsa, theksoi edhe rëndësinë e pushtetit lokal për jetën e qytetarëve, ndaj ftoi që të votohet kandidati Agron Avdijaj dhe 29 kandidatët për Kuvendin Komunal të Istogut nga VETËVENDOSJE!.

Deputeti Albin Kurti, i cili po ashtu mori pjesë në këtë tubim, tha se Istogu njihet si vend i kontributit e sakrificës, por që pas luftës fitoi kryesisht mjerim e padrejtësi. Ai vuri në pah se disa fshatra në Istog vazhdojnë të kenë problem me mungesën e ujit të pijshëm, duke përmendur Syriganën, Cërkolezin, Pemishten e Kërrninen. E këtë e quajti  paradoks pasi që Istogu njihet si vend i burimeve të shumta të ujit.

“Istogu njihet për burimet të ujit, madje njihet edhe si Burimi. Ekzistojnë dy burime të mëdha të ujit siç është burimi i Istogut dhe burimi i Vrellës. Po ashtu Istogu ka edhe burime tjera të ujit me kapacitet më të vogël”, tha Kurti gjatë këtij tubimi, për të vazhduar tutje me prezantimin e disa zotimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për këtë komunë.

Në fjalën përmbyllëse, kandidati për kryetar Agron Avdijaj, e quajti Istogun njërin nga qytetet më të bukura të Kosovën, por tha se ai ka një prej qeverisjeve më të këqija në vend. Avdijaj pati kritika të ashpra për qeverisjen aktuale, për të cilën tha se e konsideron Istogun si pronë të saj.

Më tej, ai shtoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka dëshmuar më së miri se politika nuk funksionon me bastione, duke rikujtuar humbjen e LDK-së në Prishtinë në zgjedhjet e fundit lokale. Po ashtu, ai përmendi edhe zgjedhjet e fundit nacionale të mbajtura sivjet, duke theksuar se VETËVENDOSJE! doli partia e parë në dhjetë komuna dhe partia më e madhe në gjithë vendin.

“Më 11 Qershor Lëvizja u rrit me 100%, në Istog u rritëm edhe më shumë se 120%. Istogu ynë njihet për erëra të forta. Dhe kjo rritje është një shenjë se një erë shumë e fortë po fryen: era e ndryshimit në Istog e për Istogun. Dhe ndryshimi e ka emrin VETËVENDOSJE! e numrin 10”, tha ndër të tjera Avdijaj.

Ai ironizoi më pas me sloganin e partisë që është në pushtet në Istog, LDK-së, duke thënë se slogani “Lidhja” është shumë i përshtatshëm për këtë parti, pasi që ajo njihet për funksionimin përmes lidhjeve klienteliste. E, në fund, Avdijaj prezantoi edhe 15 zotimet për Istogun dhe 29 kandidatët për Kuvendin Komunal të Istogun, duke bërë thirrje që në ditën e njëzetedytë të këtij muaji, të votohet numri 10. /KI/

Komentoni