Kosova

Vukpalaj: Krahasimi i Katalonjës me Kosovën legjitim vetëm për të kuptuar se janë të pakrahasueshme

Për profesorin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Anton Vukpalaj, krahasimi i Katalonjës me Kosovën është legjitim vetëm nëse përmes këtij krahasimi kërkohet të kuptohet se deri në çfarë mase këto dy raste janë të ndryshme dhe të pakrahasueshme mes vete, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një intervistë për Grupin Koha, Vukpalaj flet në detaje pse këto dy raste nuk janë të krahasueshme. Flet gjithashtu për qëndrimin të cilin duhet ta krijojë Kosova në raport me pavarësinë e Katalonjës. Sipas tij, Kosova nuk duhet të udhëheqë politikën e saj me emocione.

“Sado që solidarizimi i kosovarëve me katalonjasit është legjitim për shkak të së kaluarës së tyre, marrëdhëniet ndërkombëtare janë para së gjithash çështje interesash të shteteve”, thotë Vukpalaj.

Ai thotë se Spanja u zu në befasi nga referendumi i Katalonjës për pavarësi. Kësisoj, sipas Vukpalajt, Spanja në vend se ta kufizojë veprimin e saj dhe ta shpallë referendumin të pavlefshëm, ajo provoi ta ndalonte atë me dhunë, duke i dhënë në këtë mënyrë legjitimitet.

Fryma pro pavarësisë në Katalonjë u rrit në mënyrë drastike prej vitit 2010. Profesori Vukpalaj në këtë intervistë për Koha.net flet për shkaktarët “nxitës të nacionalizmit katalonjas”.

Vukpalaj ngre paralele edhe në mes të situatës në Katalonjë dhe asaj në Skoci, me referendumin për pavarësi që ndodhi në këtë pjesë të ishullit britanik, në vitin 2014.

Duke folur për rolin BE-së në këtë mes, Vukpalaj shpreh bindjen se aspiratat kombëtare të katalonjasve, baskëve, skocezëve dhe flamanëve nuk u shuan brenda një hapësire që është BE-ja.

Komentoni