Kosova

Vujiçiq: Deputetët serbë e kanë për obligim ta votojnë Ushtrinë e Kosovës

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Slobodan M. Vujiçiq, ka thënë se “nuk ka asnjë dilemë se deputetët serbë së shpejti do të votojnë për krijimin e ushtrisë së Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese, për çfarë edhe kanë marrë obligim kur si deputetë të Republikës së Kosovës kanë bërë betimin”.

Vujiçiq, përmes një kumtese për media, thotë se “me këtë veprim, ata janë zotuar se do të punojnë në interes të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj, se do të angazhohen në mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit institucional të Kosovës, për garantim të lirive dhe të drejtave të njeriut, në pajtim me ligjet e vendit dhe standardet evropiane. Prandaj, reaksionin negativ të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ndaj deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se Kosova deri në fund të vitit do ta ketë ushtrinë, e konsiderojmë si të shtënë në të zbrazët dhe një goditje tjetër ndaj qytetarëve të vet, por edhe vetvetes”, transmeton Telegrafi.

Më tej Vujiçiq, ka thënë se Forcat aktuale Mbrojtëse të Kosovës, përveç emërtimit, asgjë nuk i dallon nga forcat e armatosura të shteteve tjera në rajon dhe në përbërjen e saj, në mesin e pakicave tjera, kanë një numër të konsiderueshëm të ushtarëve dhe oficerëve serbë të Kosovës.

“Ky është realitet që nuk mund të fshihet dhe që nuk do të duhej fshehur nga qytetarët e Serbisë”, thekson Vujiçiq.

“Forca e tanishme të Sigurisë dhe forca e ardhshme e Armatosur e Kosovës, në partneritet me NATO-n dheShBA-në, nuk do të jetë kërcënim për paqen dhe stabilitetin e vendeve në rajon, siç dëshiron ta paraqes ministri Vulin, por do të jetë e kundërta, garant i tij”, thuhet në komunikatën e kryetarit të Shoqatës së Malazezëve të Kosovës.

Komentoni