Lajme

Vuçiqi i shqetësuar nga kriza e Merkelit

“DW”

Ç’do të thoshte ndryshimi eventual i pushtetit në Berlin për Serbinë? Kryeministri i serb Aleksandar Vuçiq pohon se largimi eventual i kancelares Merkel nga pushteti do të shënonte fundin e Evropës “ashtu si e njohim”.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili shumë shpesh e ka mbështetur kancelaren Angela Merkel, në radhë të parë në politikën e saj ndaj refugjatëve, shpreh frikën se largimi i saj nga pushteti do të thoshte “fundi i Evropës që njohim sot”. Aleksandar Vuçiq shton, se për “ne në Ballkan do të ishte një dëm i veçantë, sepse kemi pasur një adresë kujt t’i drejtohemi dhe kemi pasur dikë që na ka ftuar për ndihma, kur kanë ndryshuar raportet në Evropë.“

Pas rezultateve të dobëta të partisë CDU në zgjedhjet e landeve, Vuçiq tha se shumëkush po i gëzohet humbjes së Merkelit. Por jo edhe ne, sepse “Angela Merkel na ka shpëtuar nga konfliktet dhe trazirat, kur filloi kriza e refugjatëve“. Vuçiq nënvizoi se qëndrimi i tij ndaj kancelares Merkel ka të bëjë më shumë me mendjen e shëndoshë dhe jo me lojalitetin. “Ajo ka investuar shumë në Evropë dhe kjo nuk mund të krahasohet me askënd. Por nëse dikujt i luhatet karrigia nuk do të thotë se do ta humbë pushtetin”.

E gjitha varet nga kriza e refugjatëve

Projekti evropian është aktualisht në krizë, por nuk mund të thuhet nëse kjo krizë do të rezultojë me largimin e kancelares Merkel, thotë për DW Bojan Al Pinto Brkiq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd. “Pyetja kryesore është nëse kjo politikë që ka sjellë në Evropë me miliona refugjatë mund të ndërlidhet me fatin e kancelares Merkel. Zgjedhësit gjermanë ndoshta mendojnë edhe për këtë dhe do të mendojnë edhe në zgjedhjet parlamentare, vitin e ardhshëm.“

Bojan Al Pinto Brkiq mendon se në zgjedhjet e ardhshme mund të ketë dy skenarë: ndryshimi në krye të CDU-së para zgjedhjeve, apo largimi i CDU-së nga pushteti. Në rastin e parë mund të ndryshojë edhe politika e Gjermanisë ndaj Serbisë dhe Ballkanit, nëse vjen dikush tjetër në krye të CDU-së. Ndërsa me ardhjen eventuale të socialdemokratëve në krye të qeverisë gjermane, është e mundur që Gjermania të ketë një raport edhe më të ngrohtë ndaj Ballkanit, por jo edhe ndaj migrantëve, sepse kjo është shndërruar në temën qendrore në Evropë.“

Serbia me kufi të mbyllur?

“Mendoj se Gjermania është një vend serioz, i cili bën politikë afatgjate. Ndaj nuk besoj në ndryshime të shpejta të politikës, varësisht se kush vjen në pushtet”, thotë për DW Naim Leo Beshiri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Çështje Evropiane. “Kur bëhet fjalë për migrantët, as kjo nuk do të prekë Serbinë, sepse ajo është vetëm një vend tranzit. Ndaj nuk është me rëndësi nëse migrantët do të shkojnë në Gjermani apo Suedi.“

Por Naim Leo Beshiri mendon se duhet bërë të qarta edhe shkaqet e mbështetjes. “Serbia vetëm i ka hapur dyert e saj për kalimin e refugjatëve. Ka vetëm disa dhjetra raste të personave që kanë kërkuar azil në Serbi. Por mbyllja e kufijve me Maqedoninë dhe ngritja e telave me gjemba, dëshmon se ne nuk kemi politikë të dyerve të hapura.“

Moment i keq për luajalitet

Deklaratat për luajalitet ndaj Angela Merkelit nga Vuçiqi vijnë në një moment të pa volitshëm, mendon Bojan Al Pinto Brkiq. „Në historinë e Evropës kemi pasur shembuj që disa koncepte janë realizuar falë lidhjeve të fuqishme personale mes politikanëve. Por Angela Merkel është në perëndim të karrierës së saj, për shkak të moshës dhe kohëzgjatjes në pushtet. Ndaj më duket shumë origjinale që raportet personale të Vuçuqit me Kancelaren vihen në plan të parë, kur dihet se ajo në Gjermani nuk ka ndonjë mbështetje si para disa vitesh.“

Bojan Al Pinto Brkiq thotë se në këtë mënyrë shpjegohet edhe zbraztësira e disa pohimeve për miqësinë e Serbisë me disa politikanë botërorë, sepse kjo miqësi nuk është manifestuar në planin ekonomik dhe politik. Këto janë raporte shumë sipërfaqësore dhe margjinale.“

“Nëse në Gjermani ndryshon politika ndaj migrantëve, kjo mund të ketë pasoja edhe për Serbinë”, pohon ai. “Serbia është hallka më e dobët në këtë zinxhir. BE mund ta detyrojë Serbinë të pranojë më shumë njerëz. Mund ta detyrojë Maqedoninë t’i pranojë njerëzit e kthyer dhe kjo mund ta komplikojë gjendjen në Serbi dhe raportet e saj me Gjermaninë.“ „Nuk është keq që të kemi raporte të mira personale mes politikanëve, për të cilat flet Vuçiqi. Por këto raporte duhet të ngrihen në nivel institucional“, thotë Naim Leo Beshiri. „Ndaj nuk është mirë që me politikën e jashtme të merret vetëm kryeministri dhe që ajo të bazohet tek raportet e mira personale.”

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*