Rajoni

Vuçiq – përfaqësuesit të NATO-s: Serbia mbetet ushtarakisht neutrale

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka thënë përfaqësuesit të NATO-s, Cesare Marinelli, se Serbia është ushtarakisht neutrale dhe se nuk do të bëhet anëtare e asnjë aleance ushtarake.

“Si shtet i pavarur dhe sovran, Serbia do të bashkëpunojë me aleanca të ndryshme dhe shtete, përfshirë edhe raportet e mira me aleancën veriatlantike, me qëllimi të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, i ka thënë sot Vuçiqi shefit të Zyrës ushtarake të NATO-s për konkretizimin e bashkëpunimit të Serbisë dhe aleancës, ka njoftuar presidenca e Serbisë.

Vuçiq dhe Marinelli kanë diskutuar për disa aktivitete konkrete, të cilat duhet të kontribuojnë për mirëkuptim ndërmjet Serbisë dhe NATO-s, dhe për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, theksohet në njoftim.

Të dy bashkëbiseduesit janë shprehur se vizita e ardhshme e presidentit të Serbisë në selinë e NATO-s në Bruksel, me ç’rast do të bisedojë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe do të marrë pjesë në Këshillin Veriatlantik, do ta konfirmojë përparimin në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik të Serbisë me NATO-n, raporton agjencia Beta.

Komentoni