Kosova

Viktimat e dhunës seksuale të luftës kërkojnë që historia e tyre të futet në librat shkollorë

Me rastin e përmbylljes së konferencës “Një fije dritë” për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u adresuan një sërë kërkesash nga viktimat. Kërkesa këto të cilat u prezantuan nga Ambasadorja e Vullnetit të mirë për Kosovën, Elvana Shala.

Shala tregoi se lansimi i fushatës “Një fije dritë”, u bë me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit për institucionet dhe qytetarët që të përkrahin viktimat

“Lansimi i fushatës u bë me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit për qytetarët. Të drejtat themelore të tyre nuk respektohen nga shoqëria e as nga institucionet. Këto viktima edhe 18 vite pas luftës jetojnë në errësirë. Në ç’do fjali të tyre theksohej mbështetja institucionale”

Shala tha se viktimat kanë kërkuar nga të gjitha institucionet, përkrahje.

Nga Ministria e Shëndetësisë u kërkua që viktimave të iu ofrohen shërbime pa pagesë. Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale u kërkua qasje e barabartë në punësim. Ndërsa kërkesë pati edhe për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që në librat shkollorë të futet historia e viktimave të dhunës seksuale.

Ndërsa, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj tha se ndjehet e zhgënjyer që institucionet nuk kanë qenë të vetëdijshme të iu ofrojnë mundësi viktimave që të mos ndjehen të tilla.

“Ato janë heroinat ato meritojnë respekt përkrahje në punësim. Bashkë me të gjithë gratë do të kërkojmë drejtësi për to . Jam e zhgënjyer që nuk kemi qenë të vetëdijshme si institucione për t’iu ofruar mundësi që të mos ndihen më viktima”, u shpreh ministrja.

Kryetarja e gruas deputete të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Blerta Deliu tha se janë vonuar në çështjen e trajtimit të viktimave.

“Jemi vonuar me çështjen e trajtimit të viktimave dhe për këtë jemi fajtor të gjithë institucionet, shoqëria. Këto gra nuk janë vetëm. Nga janari ato do të futen në skemën buxhetore ku do të gëzojnë pensione. Do të sigurojmë pensione edhe për ato gra 65 vjeçare. Do të angazhohem që në histori të kenë emrin që gjeneratat të mësojnë për historinë e dhimbshme të tyre. Të kërkojmë drejtësi ndërkombëtare që ky krim të ndëshkohet”, tha Deliu.

Në këtë konferencë i ftuar ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mirëpo për shkak të pjesëmarrjes në seancë ai nuk qe i pranishëm në këtë lansim fushate.

Komentoni