Sport

Vijon bojkoti i tifozëve, TKZ do të mungojnë edhe kundër Italisë

Pas bojkotit ndaj Lihtenshtejnit në “Elbasan Arena”, “Tifozat Kuq e Zi” nuk do të jenë të pranishëm as në “Loro Boriçi” pavarësisht se përballë do të jetë kombëtarja italiane.

Nëpërmjet një lajmërimi në “Facebook”, tifogrupi ka komunikuar organizimin për ndeshjen e 6 tetorit ndaj Spanjës në udhëtim, duke “injoruar” në një farë mënyre takimin ndaj Italisë, kjo për shkak të inateve të vjetra me FSHF-në dhe Policinë e Shtetit.

“Të dashur tifozë, pas udhëtimit në Maqedoni, TKZ do vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Spanjës në mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Kombëtares tonë”.

“Për këtë arsye, ju njoftojmë që kemi filluar rezervimet për këtë ndeshje. Për më shumë informacione nxitoni të kontaktoni përfaqësuesin e rrethit apo shtetit ku jetoni”.

“Afati i fundit për rezervim: 28 Shtator! Ndeshja luhet më 6 tetor 2017, nga ora 20.45 në stadiumin “Estadio Jose Rico Perez”, Alicante. E përjetshme është Shqipëria”, thuhet në njoftimin e tifozëve kuq e zi të Kombëtares shqiptare.

 

Komentoni