Lajmet

Vetëvendosje i del krah Shpend Ahmetit

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një njoftimi për media bën të ditur se mbështetë plotësisht kryetarin e komunës Shpend Ahmeti.

Kryesia e VV-së ka mbajtur mbledhje një ditë pas publikimit në media për punësimet në komunën e Prishtinës.

 VV këto shkrime i quan fushatë shpifëse kundër qeverisjes së Ahmetit.

Komunikata e VV-së:

Me afrimin e datës së protestës kundër Demarkacionit, ndërkohë që mobilizimi qytetar po rritet, sigurisht, edhe propaganda e pushtetit që mbështetet në gënjeshtra është intensifikuar. 

Ndërkohë që përgjimet e skandalit “Pronto” po e demaskojnë e po i heqin dilemat edhe tek ata pak njerëz që kishin ende dyshime mbi këtë pushtet kriminal, partitë e koalicionit për kapjen e shtetit kanë filluar një fushatë shpifëse kundër qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Prishtinës. Sa më e qartë që duket situata për qytetarët, aq më shumë nevojë për gënjeshtra e mjegull ka ky pushtet.

Kësaj radhe, LDK e PDK kanë hedhur një sërë shpifjesh mbi gjoja punësimet e paligjshme nga Kryetari i Prishtinës z. Shpend Ahmeti. Tash që të pabërat u kanë dalë për fushe, nuk mund të thonë më se nuk e meritojnë epitetin “Pronto”, por e vetmja mënyrë e tyre për tu mbrojtur është duke thënë se të gjithë janë si ne. Shpifjet që po i bazojnë në falsifikime listash u demaskuan shumë shpejt nga vetë personat e angazhuar nga Komuna.

Ne e inkurajojmë Kryetarin e Prishtinës që të vazhdojë me projektet zhvillimore dhe punën transparente, duke e siguruar po ashtu se në këtë betejë kundër zhvatësve te klanit “Pronto” gëzon mbështetjen e mbarë anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe të gjithë qytetarëve që duan ndryshime në Kosovë. /KI/

Komentoni