Kosova

Veseli: VV vodhi vota në Prizren, do ta dërgojmë në Kushtetuese

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i PDK-së, tha se Vetëvendosje ka vjedhur vota në balotazhin në Prizren më 19 nëntor.

Ai ka thënë se do ta ndjekë këtë çështje edhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi PZAP dhe Gjykata Supreme hodhën poshtë ankesat e PDK-së për rinumërim.

“Më 19 nëntor kemi dyshime të bazuara se është dëmtuar procesi, vota e qytetarit. Ka intervenime flagrante në të cilën shihet qartas koha e votimit pikë së pari. VV ka vjedhur vota bashkë me partnerët e koalicionit. Do ta dërgojmë në kushtetuese”, ka thënë ai në KTV-së.

Sipas Veselit, Vetëvendosje po bën shantazhe transparente ndaj gjyqësisë, andaj nuk u pranua rinumërimi.

“VV bën shantazhe transparente ndaj gjyqësisë. Një anëtar i VV-së nëse akuzohet ata gjuhen me akuza ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo po ka efekt. Përse nuk jepet mundësia e rinumërimit. Le të shihet çfarë ka ndodhur aty”, ka shtuar më tej

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës nuk ndryshon qëndrimin karshi marrëveshjes së demarkacionit.  Kryetari i këtij subjekti, Kadri Veseli, ka ripërsëritur se partia e tij do ta votojë atë marrëveshje në momentin e parë që shkon në Kuvend.

Ai bëri thirrje që vendi mos të mbetet peng i “folklorizmave” dhe emocioneve.

Sipas Veselit, mbrojtja e kësaj çështje po bëhet pa informatat e duhura dhe me kompetenca më të mëdha se që janë në realitet.

“Qëndrimi i PDK-së mbetet i qartë. Demarkacioni duhet të votohet. PDK do ta votojë marrëveshjen ditën e parë që vjen në Kuvend. Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të mbahen të izoluar. Njëjtë ndikohet edhe FSK. Kemi të bëjmë me një shtet i cili është partner i NATO-së”, ka thënë Veseli.

Ai është i bindur se Kosova nuk po humb tokë.

“Nuk duhet të mbetemi peng i fatkeqësive tona historike. Shteti i Kosovës është i shenjtë dhe duhet të ecë përpara, jemi me fat që kemi këta partnerë. Sinjalet e mesazhet janë të qarta dhe në të njëjtën kohë nuk ka asnjë argument, edhe të komisionit të ri që do të mund të na vërtetonte diçka tjetër. Në fund nuk kemi asnjë argument, Gjykata Ndërkombëtare nuk flet me emocione”, ka thënë ai.

Në rast të mos kalimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, kryetari i kuvendit, Kadri Veseli thotë se nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje.

Sipas tij, ka një stabilitet institucional dhe nuk i duhen vendit edhe një palë zgjedhje.

Veseli tha se kryeministri Ramush Haradinaj po punon intensivisht dhe duhet të përgëzohet për entuziazmin dhe sinqeritetin që ka në punë.

“Atë që po e bënë shumë mirë Haradinaj është vendimmarrja, ai po punon intensivisht, ai nuk ka orar të punës, ka një entuziazëm i cili dhashtë Zoti e vazhdon kështu. Një vendosmëri e cila është e sinqertë e tij, është një shpresë. Nuk po i komplikon gjërat, por i thjeshtëzon”, ka thënë Veseli.

“Nuk ka nevojë të shkohet ne zgjedhje sepse ka një stabilitet institucional”, ka përfunduar ai.

Komentoni