Kosova

Veseli: Nuk ka iniciativë, zhvillim dhe proces në të mirë të vendit tonë, që të mos ketë filluar nga UP-ja

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, vizitoi sot Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pasi uroi studentët për fillimin e studimeve për këtë vit, kreu i Kuvendit, në fjalën e tij në Amfiteatrin e madh të Fakultetit Juridik, bëri një rezyme të të kaluarës së lavdishme të Universitetit të Prishtinës, si vatër, jo vetëm e dijes, por edhe si strumbullar i shumë proceseve kombëtare.

Duke kujtuar të gjithë të rënët, të cilët dikur ishin pjesë e këtij universiteti, kryetari Veseli tha se nuk ka iniciativë, zhvillim dhe proces në të mirë të vendit tonë, që të mos ketë filluar nga ky universitet. “Frymëzimin, fillimin dhe luftën e saj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka nga këto amfiteatro. Vetëm pak metra më tej, në vitin 1991, për herë të parë, si përfaqësues të Lëvizjes studentore dhe të asaj klandestine të kohës, së bashku me presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, kemi takuar celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantin legjendar, Adem Jasharin”, theksoi kryetari Veseli.

Më pas, kryetari i Kuvendit kujtoi lëvizjen studentore të tetorit 1997, e cila, siç theksoi Veseli, tregoi se Kosova nuk ka rënë në letargji, por ajo është e gatshme të ballafaqohet të gjitha sfidat të cilat i ka para vetes, deri në çlirimin dhe pavarësimin e plotë të saj. Në vazhdim të fjalës së tij, ai theksoi se janë shënuar arritje të mëdha, por askush nuk duhet të kënaqet me to.

“Ne, bashkërisht, duhet të ecim përpara në rrugën e zhvillimit e të emancipimit, si dhe të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë. T’i çrrënjosim fenomenet negative. Këtë mund ta bëjmë vetëm bashkërisht. Ju si studentë dhe ne si institucione, duhet t’i themi jo të keqes, t’u themi jo atyre që e dëmtojnë vendin dhe nuk punojnë për të mirën e tij. Nuk do të lejojmë asnjëherë që dikush të na ndajë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Nuk ka çmim të cilin nuk jemi të gatshëm ta paguajmë për shtetin tonë”, tha kryetari Veseli.

Universiteti i Prishtinës, shtoi kryetari i Kuvendit, duhet të shndërrohet nga universitet i mësimdhënies, në universitet me bazë inovacionin, dijen dhe shkencën, duke nxjerrë kuadro të përshtatshme me kërkesat e tregut të punës.

“Vetëm kështu mund të kemi burimet njerëzore konkurruese dhe të duhura për të nxitur zhvillimin e vendit”, theksoi kryetari Veseli. /KI/

Komentoni