Lajme

Jakson: Do doja që Kosova ta ketë ushtrinë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim gjeneralin Mike Jackson, komandant i parë i KFOR-it në Kosovë.

Në këtë takim miqësor, kryetari Veseli dhe gjenerali Jackson diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë, situatën e sigurisë dhe proceset të cilat e presin vendin tonë në të ardhmen.

Kryetari Veseli shprehu kënaqësinë e tij që pret në takim një personalitet si gjenerali Mike Jackson. Duke e quajtur ish-ushtarakun e lartë të NATO-s gjenerali i lirisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit tha se Jackson ka barë një punë të jashtëzakonshme në momentet më të rënda të lirisë së Kosovës dhe kalimit të tranzicionit me sa më pak pasoja, për të cilat Kosova i është mirënjohëse.

“Sot, 17 vite më pas, ne kemi shtetin tonë, me një demokraci funksionale. Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e vet, proces ky i cili do të ndodhë në bashkëpunim me partnerët tanë perëndimorë, SHBA-në dhe NATO-n në përgjithësi. Synim yni është që shumë shpejt të lëvizim drejt anëtarësimit në NATO, ashtu siç është synim i yni edhe integrimi në Bashkimin Evropian”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.  

Ish-komandanti i KFOR-it, Mike Jackson, nga ana e tij, u shpreh i nderuar që ndodhet prapë në Kosovë, duke u pritur, gjithashtu, në takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të saj. Ai tha se tani po sheh ndryshime të jashtëzakonshme në Kosovë, në krahasim me vitin 1999.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, shtoi gjenerali britanik, dhe është njohur nga shumë vende të botës. Ai foli po ashtu edhe për përparime të mëdha në infrastrukturë dhe në segmente të tjera zhvillimore, duke përfshirë edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*