Kosova

Veseli: Respekti për Fehmi e Xhevë Lladrovcin do të jetë i përjetshëm

Sot, në 18-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë vendit ku prehen këta heronj, në Shkabaj të Drenasit. 

Me këtë rast, kryetari Veseli përkujtoi rrugën e tyre, duke theksuar se Fehmi dhe XhevëLladrovci, në rrugëtimin e tyre, kishin një qëllim, të arrinin gjallë në Drenicë. 

“Ata e arritën këtë qëllim, duke qëndruar stoikisht dhe duke organizuar popullin e Drenicës, në Luftën Çlirimtare. Arritën që të ndalnin vërshimin e trupave okupatore, ushtrisë e policisë serbe, mbi qytetarët e pafajshëm. Xheva dhe Fehmiu, janë personalitete më të veçanta, krahas Komandantit legjendar Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt e shume e shumë heronjve që nuk mund t’i ndajë, të cilët me vetëdije të plotë dhe qëllimin e sakrificës, hynë në luftë, duke u bërë të përjetshëm. Sot, në 18-vjetorin e rënies, i kujtojmë me respekt dhe krenari”, theksoi kryetari Veseli. 

Kreu i Kuvendit shtoi se ende ka shumë për të bërë ndaj qytetarëve dhe ndaj këtij vendi, që të ketë më shumë siguri, perspektivë dhe zhvillim, si shtet i pavarur dhe sovran. /KI/

Komentoni