Lajme

Vepra e vëllezërve Gërvalla pjesë e rëndësishme e historisë së re të Kosovës

Me rastin e 71 vjetorit të lindjes së Jusuf Gërvallës, në vendlindjen e tij, në Dubovik të Deçanit, u mbajt ceremonia përuruese e punimeve të përfunduara në kompleksin monumental të vëllezërve Bardhosh e Jusuf Gërvalla. Po ashtu, u rihap edhe oda e Nënës Ajshe, pas restaurimit të kësaj vatre.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetarët e Deçanit dhe Pejës, Rasim Selmanaj, respektivisht Gazmend Muhaxheri, dhe personalitete të shumta nga Kosova e Shqipëria. 

Vepra e vëllezërve Gërvalla pjesë e rëndësishme e historisë së re të KosovësMinistri Kujtim Shala u shpreh se sot po kujtojmë kolosë të vërtetë të historisë së re të Kosovës, te shtëpia ku u rritën vëllezërit Gërvalla dhe së është i lumtur që shëtpia e cila rriti e ushqeu dy burra të mëdhenj me ideale të larta atdhetare e kulturore, Kullën e Bardhosh e Jusuf Gërvallës, dhe odën e Nënës Ajshe po e inaugurojnë pas restaurimit. 

“Kjo punë modeste, është dëshmi se Institucionet e Kosovës e vlerësojnë veprën e madhe të Vëllezërve Gërvalla dhe ato janë të përkushtuara për të ruajtur dhe kultivuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së re të Kosovës”, tha ministri Shala, duke shtuar se tani vizitorët e interesuar do të kenë mundësinë që për së afërmi të njihen me vlerat që përfaqësonin vëllezërit Gërvalla.

“Ata u sakrifikuan për lirinë tonë, ndërkaq ne sot, po e kujtojmë veprën e tyre me pietet e nderim, duke e përjetësuar dhe bërë pjesë të trashëgimisë kulturore e historike të Kosovës: të identitetit të saj modern”, tha ministri. 

Ndërkaq, në cilësinë e nikoqirit, kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, theksoi se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur që po e përurojnë restaurimin e kompleksit të vëllezërve Gërvalla dhe odën e Nënës Ajshe në një ditë të shënuar siç është ditëlindja e atdhetarit Jusuf Gërvalla.

“Është një nder për ne si komunë, por edhe për Kosovën që i kujtojmë vepra si ajo e vëllezërve Gërvalla, dhe këtë ua lëmë pas bijave e nipërve si shembull i guximit e trimërisë, kulturës dhe të dashurisë që kishin dy vëllezërit”, tha ndër të tjera Selmanaj. 

Në emër të familjarëve, të pranishmëve u foli dhe i përshëndeti bashkëshortja e Jusufit, Suzana Gërvalla. Ajo kujtoi lidhjen e pandashme që kishte Jusufi me vendlindjen, Dubovikun, e cila s’mund të përjashtohet nga veprimtaria e Jusufit si dhe dashurinë që kishte ai për Nënën Ajshe. 

Gjithashtu, ajo falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit restaurues të kompleksit monumental, veçanërisht ministrin e Kulturës, Kujtim Shalën e kryetarin e Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.

Ministria ka investuar rreth 50 mijë euro në kuadër të projektit të restaurimit të tërësishëm të kompleksit të vëllezërve Gërvalla. Vitin e ardhshëm parashihet që ky kompleks të shndërrohet në shtëpi-muze, e që vizitorëve të interesuar do t’u mundësohet të mësojnë më shumë për vëllezërit Gërvalla. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*