Kulturë

“Vendimi për zhvendosjen e MKRS në Prizren, vendim i çoroditur”

Personalitete të kulturës kanë dhënë vlerësime të ndryshme lidhur me zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren. Ditë më parë kreu i këtij dikasteri qeveritar Kujtim Gashi paralajmëroi  se kjo ministri gjatë vitit të ardhshëm  do të bartet në Prizren me arsyetimin se në këtë qytet, janë shumë objekte kulturore e historike, organizohen aktivitete të ndryshme etj. Por ai nuk ka sqaruar se çfarë do të ndodhë me stafin aktual të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë ministri në Prishtinë.

Regjisori Sokol Plakolli i ka duartrokitur këtij vendimi duke theksuar se Prizreni kaherë është kryeqyteti kulturor i Trojeve të bashkuara Etnike në një Shqipëri të madhe, ashtu si e ka falë Zoti.

“Prizreni është qytet historik ngase atje pos tjerash është mbajtur Lidhja e Prizrenit. Prizreni ka pozitë gjeostrategjike qendrore në Trojet Etnike, prandaj bartja e selisë së Ministrisë së Kulturës së Kosovës në Prizren është një hap i madh drejt Bashkimit Kombëtar”, tha ai për Kosova.info.

Ai thotë se hapat e parë për bashkimin e trojeve kombëtare duhet hedhur pikërisht përmes bashkimit kulturor dhe ekonomik. Kosova ka qenë është dhe do të mbrete shtytësja e veprimeve në ngjarjet mëdha historike, në historinë e Kombit Shqiptar.

“Më vjen mirë që edhe kësaj radhe po bënë hapin e parë konkret drejt Bashkimit Kombëtar gjë që është proces i pandalshëm dhe i pashmangshëm i cili do të realizohet përmes konventës ndërkombëtare të Vetëvendosjes. Duke shpresuar që së shpejti Tirana do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë së Madhe, Prizreni kryeqyteti kulturoe historik ndërsa Shkupi Qendra Ekonomik i Shqipërisë së Bashkuar”, thotë ai duke përshëndetur iniciativën që Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës të bartet në Kryeqytetin historik të Trojeve të bashkuara, pra në Prizren.

Por për shkrimtarin Dan Ibrahimi dislokimi i MKRS në Prizren është cilësuar si një nga veprimet më të çuditshme të kësaj qeverie.

“Paramendoni sikur të gjithë ministrat t’i qonin ministritë ne lagjet apo katundet e tyre. Në praktikat e njohura edhe kryeqytetet mund të ndërrohen madje, por kjo behet me ligj e me kushtetutë. Duket një tendencë provinciale më shumë se veprim serioz. Kaq e vogël kjo Kosovë si territor dhe me kaq shumë bajraktarizma që se njohin qytetin kryeqytet ! Uroj që këto mendësi fisesh të mos arrijnë edhe në shkallen e tendencave për pavarësi politike e territoriale”, thotë ai për Kosova.info.

Njohësi i mirë i fushës së sportit dhe gazetari Bekim Aliu thotë se ende e ka të paqartë se nga kush është propozuar çështja e zhvendosjes së MKRS për në Prizren. Ai këtë ide e quan si një hap jo të menduar mirë.

“Nuk ka asnjë dyshim se Prizreni është qytet historik e po ashtu duhet të krenohet edhe për të arriturat e tij në sport. Por, të transferohet e tërë MKRS-ja në Prizren më duket që është një hap jo i menduar sa duhet. Kjo për faktin se veprimtaria sportive është më shumë e koncentruar në kryeqytet, ku edhe objektet sportive, krahasuar me Prizrenin janë më të shumta”, thotë ai për Kosova.info.

Aliu që ka mbi dy dekada në gazetarinë sportive thotë se një qytet si Prizreni, që ka një stadium që lë shumë për të dëshiruar dhe me vetëm një palestër sportive, atë “Sezai Surroi’, nuk i përmbush kërkesat e sportdashësve, ndërkohë që në Prishtinë infrastruktura sportive është e një niveli shumë më të mirë.

“E kur kësaj të fundit t’i shtohet edhe Stadiumi i Prishtinës, i cili është në renovim e sipër, e që pritet të zhvillohen edhe ndeshje ndërkombëtare, atëherë s‘do mend se Prishtina është qyteti ku duhet të jetë selia e MKRS-së. Ndërkohë, dëshmia se rreth një e katërta e banorëve të Kosovës janë në kryeqytet, është edhe një fakt tjetër i pamohueshëm se kryeqyteti duhet të jetë ‘konaku’ i MKRS-së”, thotë ai.

Besart HYSENI

Komentoni