Rajoni

Vendimi për Mlladiqin: Serbi para Gjykatës shkakton incident

Në prag të vendimit të të akuzuarit të Hagës, Ratko Mladiq, para ndërtesës së Gjykatës në Hagë sot në mëngjes ndodhi një incident kur para familjeve të viktimave u paraqit një burrë me flamurin serb.

Flamurin nga personi në fjalë u përpoq ta merrte kryetarja e Shoqatës “Gratë-viktima të luftës” Bakira Haseçiç, kurse më pas reagoi edhe policia e cila qetësoi situatën.

Haseçiç pas incidentit deklaroi se “është e dhimbshme dhe trishtuese që sot para Gjykatës së Hagës të glorifikohet gjenocidi, agresioni, përdhunimet masive të grave jo serbe, kryesisht boshnjaket. Unë jam një nga ato mijëra gra të përdhunuara”.

Ish-të burgosur nga të gjitha anët e Bosnjë e Hercegovinës, përfaqësues të shoqatave të viktimave dhe familjarë të të vrarëve nga orët e hershme mbërritën para ndërtesës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GJNPJ) në Hagë ku sot do të shpallet vendimi i shkallës së parë për ish-komandantin e ushtrisë të Republikës Srpska, të akuzuar për gjenocid dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë në vitet e 90-ta.

Pas më shumë se dy dekadash nga lufta në BH, familjet e viktimave shpresojnë se me vendimin e sotëm sadopak drejtësia do të vihet në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjykimi i Mladiqit ka filluar në maj të vitit 2012, kurse aktakuza e Gjykatës së Hagës e ngarkon me 11 pika, prej të cilave dy për gjenocid.

Komentoni