Lajme

Veliu inspektoi punimet në ndërtimin e urës mbi lumin Llap

Në kuadër të projekteve që po realizohen për ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës në komunën e Podujevës, te Parku i Qytetit në Podujevë, ka filluar ndërtimi i urës së re mbi lumin Llap.

Për të përcjellë nga afër dinamikën e zhvillimit të punimeve në realizimin e këtij projekti, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka inspektuar sot punimet në ndërtimin e kësaj ure.

Kryetari Veliu e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt, që bën pjesë në kuadër të projekteve të shumta në rregullimin e infrastrukturës në qytet..

“Projekti për ndërtimin e urës së re është i rëndësisë së veçantë. Përveç që zëvendëson një urë të vjetër dhe shumë të ngushtë, kjo urë do ta kompletojë pamjen e bukur të Parkut të Qytetit pas investimeve që kemi bërë më herët në rregullimin e parkut dhe të shtratit të lumit Llap”, tha kryetari Veliu

Kryetari Veliu kërkoi nga punëkryerësi që punimet të në ndërtimin e urës të kryhen sipas dinamikës dhe afateve të parapara.

Përfaqësuesi i kompanisë “KONSTRUKTORI”, e cila është duke i kryer punimet në ndërtimin e urës, u zotua se ndërtimi urës do të realizohet sipas projektit dhe dinamikës së paraparë me kontratë. 

Ura do të ketë një gjerësi prej pesë metrash dhe do t’i ketë dy pushimore. /KI/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*