Lajme

Vazhdon përkushtimi i BE-se për të përkrahur dhe ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti në takim njoftues Shefen e re të Zyrës së BE-së/e Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Ministrja Hoxha, uroi znj. Apostolova për detyrën e re, njёherit shfaqi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve.

Në takim, ministrja Hoxha potencoi vullnetin dhe përkushtimin e saj institucional në përmirësimin dhe forcimin e sektorit të drejtësisë, si dhe shfaqi nevojën për reforma të duhura dhe strategji efektive në përmirësimin e fushës së sundimit të rendit dhe ligjit.

Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, shprehu mirënjohjen e saj për gatishmërinë e Ministres Hoxha për të thelluar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe shfaqi përkushtimin e BE-së për thellimin e koordinimit me institucionet e Kosovës në rrugën e integrimit evropian, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Ajo theksoi çështjen e transparencës në proceset publike si një kusht i domosdoshëm për tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, veçanërisht për të rinjtë e Kosovës, siç është paraparë në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe në Agjendën e Reformës Evropiane që është aktualisht duke u zhvilluar për të mbështetur zbatimin e MSA-së.

Ministrja Hoxha, kërkoi që bashkëpunimi i deritanishëm të intensifikohet edhe më tej si në përforcimin e infrastrukturës ligjore, po ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit. Vlerësim i përbashkët ishte se bashkëpunimi në sferën e infrastrukturës ligjore është tejet i rëndësishëm si në planifikimin e punëve ashtu edhe në procesin e integrimit evropian, dhe angazhimit në implementimin e marrëveshjes së MSA-së. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*