Lajme

Vazhdon përkrahja nga Ambasada Finlandeze në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, priti në takim njoftues Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamäki e shoqëruar nga zëvendës Ambasadori, Lari Peltonen.

Në takim, Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadoren Huhtamäki për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ka ofruar Ambasada e Finlandës në Kosovë, veçanërisht Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe u zotua për gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit me ambasadën dhe Ministrinë e Drejtësisë së Finlandës.

Ambasadorja Huhtamäki, shprehu mirënjohjen e saj për gatishmërinë e Ministres Hoxha për të thelluar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe shfaqi qëndrimet e shtetit Finlandez për vazhdimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë ofroi ndihmë dhe përkrahje në procesin e integrimit evropian, duke vlerësuar se Republika e Kosovës ka bërë hapa konkret në procesin e integrimit, dhe shfaqi mirënjohje për punën e bërë në sektorin e drejtësisë në luftë ndaj dukurive negative dhe korrupsionit.

Në takim, Ministrja Hoxha ri-theksoi se lufta kundër korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit dhe zvogëlimi i numrit të lëndëve në Gjykata janë elementet kyçe në të cilat do të fokusohet puna e Ministrisë së Drejtësisë, njëherit parimet e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale do t’a përcjellin gjatë tërë mandatit të saj. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*