Ekonomi

Vazhdon mbështetja gjermane për AUV-në

Ambasadorja e  Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets, sot ka vizituar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Ajo u prit nga Dr. Valdet Gjinovci, Kryeshef Ekzekutiv i AUV-së, Prof. Dr. Eberhard Haunhorst, President i Zyrës Shtetërore të Saksonisë së Ulët për Siguri Ushqimore dhe Mbrojtje të Konsumatorit dhe Dr. Erhard Zittlau udhëheqës i projektit të binjakëzimit “Mbështetje për Laboratorin e ushqimit dhe veterinarisë në Kosovë”.

Dr. Gjinovci i shprehu mirëseardhje ambasadores Viets dhe e njohu me punët dhe të arriturat e autoritetit në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, në theks të veçantë me dinamikën dhe të arriturat e projektit për mbështetjen e Laboratorit të ushqimit dhe veterinarisë i cili financohet nga BE, por që implementohet nga ekspertët e shtetit Gjerman.

“Ne kemi një përvojë të mirë me ekspertët e shtetit gjerman të cilët kanë implementuar projekte që nga viti 2009 dhe jemi duke i shfrytëzuar ende ato të arritura, besoj se edhe ky projekt do të jetë vazhdimësi e punës dhe arritje e rezultateve”, ka thënë Gjinovci

Ambasadorja Viets është shprehur e kënaqur me sukseset e punës së përbashkët ndërmjet dy autoriteteve. Ajo gjatë vizitës që i bëri Laboratorit të ushqimit, pa nga afër zhvillimin e metodave të reja testuese, ngritjen e cilësisë dhe besueshmërisë në rezultatet laboratorike të lëshuara nga LUVK. /KI/

Komentoni