Kosova

Vazhdon bartja graduale e përgjegjësive nga MSh te Odat e profesionistëve shëndetësor

Në kuadër të bartjes së përgjegjësive dhe funksionalizimit të Odave të profesionistëve shëndetësor, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe Kryetarja e Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, Dafina Ibrahimi-Kaçuri nënshkruan edhe 16 licenca të fizioterapeutëve, në kuadër të ushtrimit të përgjegjësive të përbashkëta të MSh-së dhe Odave të Profesionistëve Shëndetësor për licencim. 

Nënshkrimi i licencave krahas Ministrit dhe Kryetarit të Bordit për licencim të profesionistëve shëndetësor edhe nga kryetari i Odës së Fizioterapeutëve dëshmon për vendosmërinë e MSh-së në implementimin e Ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor dhe reformës në shëndetësi, pjesë e së cilës është edhe bartja e kompetencave graduale nga MSh-ja te Odat e profesionistëve të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të përkrah në forma të ndryshme Odat deri në pavarësimin e tyre të plotë, që synohet të arrihet deri në janar të vitit 2017. 

Bartja e kompetencave nga MSh te Odat ka filluar me vendim të Ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani, nga 1 korriku i vitit 2016 dhe deri tash, në kompetenca të odave kanë kaluar çështjet etike, edukimi i vazhduar profesional, ndërsa licencimi dhe ri-licencimi do të vazhdojë të jetë deri në fund të vitit kompetencë e përbashkët e MSh-së dhe Odave. /KI/

Komentoni