Bota

“Valkyrie”: Arsyet pse dështoi vrasja e Hitlerit, që do ta ndryshonte historinë

Mark Glensi zbulon komplotin për të vrarë Hitlerin, një akt që çuditërisht frymëzoi një nga pak pasuesit e Fyhrerit.

Njëzet korriku i vitit 1944, qe një ditë tmerrësisht e nxehtë në pyjet plot e Prusisë Lindpre, ku Hitleri planifikonte ecurinë e luftës së ushtrinë e tij, nga shtabi i njohur si “Strofulla e Ujkut”. Gjeneralët e Hitlerit, e vizitonin me tmerr këtë vend të zymtë e të izoluar – dikush e cilësoi madje si një “një përzierje mes një manastiri dhe një kampi përqendrimi”,- por pjesëmarrja e tyre në takimet e ushtarakëve ishte e detyrueshme.

Pra, pak pas mesditës në një nga dhomat e konferencave, me dritaret e hapura me shpresën e ndonjë flladi të freskët, 21 oficerë, dy stenografë dhe vetë Fyhreri u ulën në një tavolinë të gjatë dhe të rëndë lis,i për të marrë në shqyrtim zhvillimet e fundit. Lajmet nuk qenë të mira. Trupat ruse që kishin përparuar përgjatë Frontin Lindor, gjendeshin pak më shumë se 60 milje larg nga ”Strofulla e Ujkut”.

Në perëndim, aleatët kishin zbarkuar në plazhet e Normandisë në 6 qershor, duke arritur të krijonin të shumëpriturin frontin e dytë. Ndërkohë në Gjermani, qytetet po bombardoheshin në mënyrë të njëpasnjëshme gjatë ditës nga forcat ajrore amerikane, dhe natën nga Forca Ajrore Mbretërore e Britanisë së Madhe.

Edhe pse askush nuk kishte të ngjarë t’ia thoshte Hitlerit, humbja e Gjermanisë tanimë po dukej e pashmangshme, edhe nëse ajo ishte ende shumë muaj larg. Kolonel Klaus von Shtaufenberg mbërriti me vonesë në këtë takim pashmangshmërisht të tensionuar dhe me tone mjaft qortuese, por i oficeri i shquar dhe i besuar zuri vend më pak se dy metra larg në të djathtë të Hitlerit, duke e vendosur çantën e tij pranë tabelës shpjeguese të mbledhjeve.

Më pas, duke këmbëngulur se kishte nevojë të kryente një telefonatë urgjente me Berlinin, ai doli papritmas nga dhoma. Shtatë minuta më vonë, çanta që ai kishte lënë aty shpërtheu, shkatërroi tërësisht tryezën, duke përhapur flakë nëpër dhomë, dhe shembur pjesë të tavanit. Tre oficerë dhe një stenograf u plagosën për vdekje. Ca të tjerë pësuan tronditje të forta, ndërsa shumica e njerëzve që gjendeshin përreth tavolinës së mbledhjeve, u gjendën brenda pak çastesh jashtë dhomës të mbushur me tym në një gjendje shoku. Hitleri qe në mesin e të mbijetuarve.

Ai kishte djegie në flokë, krahun dhe këmbën e djathtë, ndërsa po kullonte gjak. Rrobat e tij ishin bërë copë e çikë, dhe forca e shpërthimit e kishte flakur me forcë nga karrigia ku qëndronte, ndërsa të pasmet i ishin bërë njëlloj si të një majmuni, do të shprehej më vonë me shaka. Por bomba nuk e kishte vrarë, dhe ai u largua nga salla e konferencave i vendosur për të gjetur dhe ndëshkuar të gjithë personat e përfshirë në komplotin për vrasjen e tij të mbetur në tentativë.

Komploti i gjerë

Shtaufenbergu nuk kreu vetëm transportimin e bombës dy kilogramëshe, që gati sa nuk vrau Hitlerin. Ai qe gjithashtu në qendër të një rrjeti më të gjerë komplotistësh, të cilët ishin të vendosur për të vrarë Hitlerin dhe nxitur një grusht shteti, që do të sillte fundin e regjimit nazist.

Shtaufenbergu i përkiste një familje aristokrate gjermane, me një prejardhje që shtrihej së paku deri në shekullin XIV-të. Ai lindi në kështjellën e familjes në Suabia (jug-perëndim të Gjermanisë) në vitin 1907, dhe në përputhje me zakonin e familjes, iu bashkua rradhëve të ushtrisë në vitin 1926, duke marrë gradën e oficerit në vitin 1930.

Ashtu si oficerët e tjerë tradicionalë gjermane, Shtaufenberg e pa fillimisht me shqetësim ardhjen në pushtet të nazistëve, për shkak se këta të fundit qenë inferiorë nga pikëpamja sociale, si dhe u mungonte disiplina dhe autoriteti natyral që e karakterizon aristokracinë. Megjithatë, kur Hitleri erdhi në pushtet, ai u betua për besnikëri dhe bindje ndaj Fyhrerit, çka kërkohej nga të gjithë pjesëtarët e forcave të armatosura gjermane, duke premtuar të rrezikojë edhe jetën e tij në mbrojtje të udhëheqësit nazist.

Ai shërbeu me entuziazëm në pushtimin e Polonisë në vitin 1939, duke besuar se polakët ishin një “turmë” që duhej të kolonizohej nga Gjermania. Ai kontribuoi edhe në pushtimin e Francës në vitin 1940, dhe qe njëkohësisht i impresionuar nga mendjemprehtësia ushtarake e Hitlerit, por po aq edhe i alarmuar nga ambiciet e tij në dukje të pafundme.

Gatishmëria e Shtaufenbergut për t’iu bashkuar rezistencës dhe komplotuar për përmbysjen e Hitlerit nga pushteti, ka të ngjarë të jetë rritur në disa faza. Egërsia e pushtimit të Bashkimit Sovjetik, e shoqëruar me ekzekutimet masive të hebrenjve, rusëve dhe ukrainasve, e neveritën atë. Nga viti 1942, ndjesia në rritje se Hitleri qe duke e çuar Gjermaninë drejt greminës e shtoi vendosmërinë e tij. Plagosja e rëndë që pësoi në Afrikën e Veriut në vitin 1943 ishte shkatërruese – ai humbi dy gishtat e dorës së majtë, gjithë dorën e tij të djathtë dhe syrin e majtë – e megjithatë tek e fundit  kjo gjendje e vendosi në pozitën për të vepruar.

Kur u shërua, Shtaufenbergu u emërua në një post në Ushtrinë Rezervë Gjermane, ku gjenerali Fridrih Olbriht kishte hartuar tashmë një plan për të përdorur fuqinë e Ushtrisë Rezervë kundër Hitlerit. Në zemër të kësaj ishte ‘Operacioni Valkirie”, një plan u jepte komandantëve ushtarakë autoritet mbi të gjithë të tjerët, duke përfshirë edhe Gestapon dhe SS, në rastin e një kryengritjeje të brendshme.

Valkirie u miratua edhe nga Hitleri, për shkak se kjo do t’i lejontë ushtrisë për të reaguar në mënyrë efektive kundër një revolte të mundshme nga ana e punëtorëve të huaj. Por Olbriht dhe komplotistët e tjerë, parashikonin që në rastin e vrasjes së Hitlerit, konfuzioni që do të krijohej mund të përdorej si një pretekst për të vënë në veprim “Operacionin Valkirie” dhe i hapur rrugë ushtrisë për të përmbysur regjimin nazist.

Moria e gabimeve

Në korrik të vitit 1944, Shtaufenbergu u gradua Shefi i Shtabit të Ushtrisë Rezervë, duke shërbyer nën gjeneralin Fridrih From. Ai ndodhej në një detyrë që e vinte në kontakt të rregullt e të drejtpërdrerjtë me një Hitler gjithnjë e më të vetmuar. Për këtë arsye edhe komploti për vrasjen e udhëheqësit nazist qe realist, dhe u vendos të vihet në zbatim.

Von Shtaufenberg u stërvit pa pushim për veprimet që duhej të kryente:aktivizimi i bombës me tre gishtat e tij të mbetur nga plagosja e rëndë qe një sfidë e veçantë. Megjithatë, ndërsa fati duket se e kishte vendosur në atë pozicion unik, pati shumë gjëra që shkuan keq atë ditë.

Pasi u fut në dhomën e ndërrimit për të aktivizuar eksplozivin, ai u ndërpre para se të mund të përfundonte detyrën me dy kilogramët e eksplozivit të sjellë në “Strofullën e Ujkut”, dhe për pasojë u aktivizua vetëm njëra nga dy bombat.

Gjithashtu, kur Shtaufenbergu u largua nga salla e konferencave, një nga gjeneralët në padijeni të situatës e shtyu çantën e tij më tej nën tryezë, ngjitur pas njërit prej trarëve të rëndë prej lisi, të cilat e mbrojtën Hitlerin nga forca e plotë e shpërthimit. Dhe sigurisht, vapa e asaj dite luajti rolin e saj, pasi të gjitha dritaret e dhomës qenë të hapura. Sikur ato që ishin të mbyllura, pasojat e shpërthimit do të kishin qenë shumë më të rënda.

Mbretëron konfuzioni

Pas shpërthimit, Shtaufenbergu u largua me shpejtësi nga “Strofulla e Ujkut”. Zhurma e shpërthimit e bindi se Hitleri ishte vrarë, dhe gjatë fluturimit prej tre orësh drejt Berlinit, ai besonte se Operacioni Valkirie do të vazhdonte. Megjithatë sapo mbërriti në zyrat e Ushtrisë Rezerviste në Bendlerblock, filluan të qarkullojnë thashetheme se Fyhreri kishte mbijetuar. Këmbëngulja e Shtaufenbergut se Hitleri kishte vdekur, dhe se për këtë arsye plani duhet të vazhdonte, u mbështet nga disa dhe kundërshtua nga të tjerët, ndërsa shpërthyen përleshjet.

Në momentet e fundit, Gjenerali From, që ishte qenë në dijeni të komplotit, mori kontrollin  e situatës dhe u përpoq të pastrojë emrin e tij, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të Shtaufenbergut dhe 3 komplotistëve të tjerë.

Në orët e para të mëngjesit të 21 korrikut 1944, ata u qëlluan në oborrin e Bendlerblock. Fjalët e fundit që thuhet të ketë  thënë Shtaufenbergu – “Rroftë Gjermania jonë e shenjtë” – dëshmojnë dashurinë e tij ndaj vendit të tij, gjë që e çoi të kryejë aktin përfundimtar të tradhtisë nën rregjimin nazist, por i lejoi atij të cilësohet si hero i “Operacionin Valkirie”.

Filmi i realizuar mbi këtë ngjarje e thjeshëzon këtë personazh, duke e karakterizuar atë më tepër si një hero në veprim sesa si një nacionalist gjerman që drejton një grusht ushtarak shteti. Gjithësesi historia mbetet një rrëfim fantastik, ndonëse komploti në mënyrë të pashmangshme shthurret teksa përballet me fundin e tij kaotik dhe të rrëmujshëm. /bota.al/

Komentoni