Kosova

Valdrin Muqaj zgjedhet kryetar i Forumit Rinor të AKR-së në Skenderaj

Në vazhdën e procesit të konsolidimit të Forumeve të Aleancës Kosova e Re, në praninë e një numri të madh të të rinjve, sot është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i Forumit Rinor të degës së AKR-së në Skenderaj.  Në tubim, i pranishëm ishte koordinatori i zgjedhjeve në nivel qendror, Vesel Makolli, kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, koordinatori i Forumit Rinor në nivel qendror Zijadin Geci, koordinatori i AKR-së në Skenderaj Musa Dervishi dhe shumë të tjerë. 

Duke i përshëndetur të pranishmit në emër të presidentit të partisë, koordinatori Makolli deklaroi se ëndrrat dhe synimet që rinia i ndjekë, do të realizohen me AKR-në dhe me liderin e saj,Behgjet Pacolli.

“AKR do të krijojë kushte që rinia të punojë në Kosovë në ndërtimin e shtetit, e jo të ikë në shtetet tjera në kërkim të një jete me të mirë. Rinia është e lumtur sepse për të ekziston ardhmëria, kurse unë them që rinia jonë duhet të jetë e lumtur sepse për të ekziston AKR-ja dhe presidenti Pacolli” u shpreh ai.

Kuvendin e përshëndeti edhe kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, i cili tha se Drenica historikisht ka dhënë shumë për Kosovën. ”Ne do ti japim Drenicës vende të reja të punës, zhvillim ekonomik dhe kushte me të mira jetese. Qeveria nuk ka bërë asgjë tash e sa vite, ne jemi ata që do t’ia kthejmë dinjitetin rinisë së Skenderajt dhe gjithë Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

Ndërkaq, koordinatori i Forumit Rinor në nivel qendror, Zijadin Geci, deklaroi se ky Kuvend Zgjedhor, është dëshmia me e mirë që AKR-ja po fuqizohet edhe në Drenicë.

Në prani të mysafirëve nga qendra, Kuvendi i ka vazhduar punimet ku nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 96 delegatëve, kryetar i Forumit Rinor të AKR-së në Skenderaj u zgjodh Valdrin Muqaj.

Kryetari i sapo zgjedhur duke i falënderuar delegatët për besimin e dhënë, tha se do të punojë dhe do të jetë zëri i të rinjve në realizimin e ideve për një të ardhme me të mirë.

Kuvendi zgjodhi edhe strukturat udhëheqëse të Forumit të degës. Nënkryetarë u zgjodhën znj.Donarta Dreshaj dhe Mentor Bajrami, ndërsa sekretare znj.Edona Latifi. /KI/

Komentoni