Kosova

‘Vahabistët’ kosovarë kundër terrorizmit

Ndërsa opinioni publik në Kosovë ende gëlon nga stereotipat e praktikantëve myslimanë sipas përcaktimeve “i moderuar” apo “radikal”, termi “Vahabist”, është përdorur jo vetëm si sinonim i ekstremizmit të dhunshëm, por edhe larg të vërtetës në disa aspekte.

“Pas një beteje Profeti Muhamed (a.s.) po shpërndante plaçkën e luftës, kur tek ai erdhi një person me emrin Dhul Huvejsira dhe i thotë Profetit: ‘O Muhamed ndaji drejt’. Ai dyshoi ndaj drejtësisë së Profetit”.

Ergin Shala, një mysliman praktikant nga Prizreni me profesion psikolog, përmend këtë hadith (hadithi është transmetimi fetar i dokumentuar i thënieve, veprës dhe traditës së Profetit Muhamed), duke shtuar se ekstremistët fetarë kanë ekzistuar që në zanafillat e islamit, madje duke vënë në dyshim edhe vetë profetin.

Shala është tepër aktiv në media sociale në dënimin e ideologjisë që furnizon ekstremizmin e dhunshëm dhe aktet terroriste, çka ai e quan “ideologji havarixhe” (ideologjia e ekstremistëve të dhunshëm).

“Pra një nga cilësitë e havarixhëve është mosmarrja parasysh e dijetarëve, mospërfillja ndaj mësuesve”, vëren ai, duke shtuar se është e pamundur që të gjesh dijetarë, studiues të njohur të islamit, që të jenë havarixhë.

Diçka të njëjtë thotë edhe Dr. Ahmet Hoxha, imam në Kuvajt, i cili vë në dukje se duke qenë se një vlerësim metodologjik dhe racional i islamit automatikisht pengon rrëshqitjen në ekstremizëm të dhunshëm, mbështetësit e ideologjive të tilla nuk u referohen studiuesve dhe dijetarëve.

“Forma kryesore e ekstremizmit ka qenë tekfiri i myslimanëve [shpallja si të dalë nga feja]”, thotë imami duke shpjeguar se një ideologji e tillë ekziston edhe sot dhe se organizatat terroriste aktuale furnizohen pikërisht nga individë të cilët ndjekin këto forma të deformuara të besimit.

Imami pranon se kjo kategori ekstremistësh i shpallin njerëzit të dalë nga feja bazuar mbi mëkate të vogla apo edhe të mëdha, çka është e ndaluar në islam. Hoxha shpjegon se madje edhe ato që konsiderohen si mëkate shumë serioze në islam, si mosfalja e namazit apo shkelja e kurorës, nuk e nxjerrin një mysliman nga feja.

“Nga ana tjetër, nëse ai do të thotë se namazi nuk është obligim apo që zinaja [shkelja e kurorës] nuk është mëkat, atëherë diçka e tillë e nxjerr nga feja”, thotë imami.

Shala, i cili përballet shumë shpesh në debate me tekfiristët thotë se ata e bëjnë diçka të tillë sipas interpretimeve të pjesshme të Kuranit, duke gjykuar mbi varg të shkëputur nga pjesa tjetër, çka i humbet kontekstin. “Si rregull, do të mjaftoheshin duke marrë për bazë dijetarët e mëdhenj të islamit për ta kuptuar se diçka e tillë është e gabuar”, thotë Shala, por rikujton se havarixhët i shpërfillin dijetarët.

Klerikë por edhe studiues kanë thënë se shumica e atyre që u bashkohen organizatave terroriste si ISIS apo Al Nusra i përkasin pikërisht kësaj ideologjie, sipas të cilës, fillimisht dikush shpallet i dalë prej feje për të mundësuar më pas vrasjen e tij, përvetësimin e pasurive të tij, madje edhe robërimin e familjarëve në disa raste.

Kosova mban rekordin evropian sa i takon masave të ashpra ndaj ekstremizmit të dhunshëm, me një total prej rreth 120 arrestimesh dhe afër 60 të dyshuarish që po gjykohen. Sipas autoriteteve të sigurisë, rreth 300 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut, dhe rreth 130 syresh janë kthyer në vendin e tyre.

Ekstremistët kosovarë

Përhapja e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë është një nga temat kryesore që trajton studimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me autor Shpend Kursanin dhe hulumtues Skender Perteshin, “Raport për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”.

“Idetë e dhunshme ekstremiste që promovon ISIS-i, që një grup i njerëzve në hemisferën perëndimore duke përfshirë Ballkanin dhe Kosovën në veçanti, ka përqafuar kohët e fundit mund të gjenden në Egjiptin modern dhe në burgjet e tij. Kjo fillon me një politikë të organizuar islame në Egjipt, dhe me themelimin e Vëllazërisë Myslimane në 1928 nën udhëheqjen e Hassan al Banna”, thuhet në raport.

Në kohët moderne, egjiptiani tjetër Sejid Kutub (dhe jo vetëm ai), përmes një sërë librash e esesh ku spikat “Shenja në rrugë”, e lëvroi më tej filozofinë e Hassan al Bana duke e shtrirë në një platformë me objektiva dhe aktivitete orientuese praktike. Me kalimin e dekadave, lista e armiqve u shtua me emra të rinj.

“Madje tekfirsat kanë shpallur qafir edhe mbretin e Arabisë Saudite, ndonëse ky vend ka Kuranin për kushtetutë”, thotë Shala.

Nga pamja e jashtme, Shala nuk është ai lloj praktikanti fetar që përmbush stereotipin e ‘myslimanit të moderuar dhe paqësor’, i cili vlerësohet shpesh si dikush i rruar paq dhe i veshur si punonjës banke, por ai mban mjekër të gjatë, pak mustaqe dhe pantallona të shkurtuara mbi nyjën e këmbës.

Pamja e tij përfaqëson stereotipin e ‘Vahabistit të frikshëm’, bartës të ideologjisë nga e cila, sipas bindjeve të përhapura nga një pjesë e medias në publik, buron ekstremizmi i dhunshëm.

Edhe imamin Hoxha, ish-luftëtar i UÇK-së, truplartë dhe shpatullgjerë, me një mjekër të gjatë të kuqe, mustaqe gjithashtu të prera dhe pantallona të shkurtuara, duke i vënë etiketën “Vahabist”, mund t’ua shesësh tabloidëve kosovarë si luftëtar të ndonjë organizate islamike në Siri, edhe pse nuk është aspak rasti.

Hoxha, i arsimuar në Arabinë Saudite, është i njohur në rrethin e praktikantëve në Prishtinë njëkohësisht si imam i rrymës konservatore dhe kritikues i ashpër i ekstremizmit të dhunshëm përmes ligjëratave, intervistave dhe shpjegimeve të ndryshme fetare.

Ndërsa aktiviteti i Shalës përfshin ese, intervista me imamë, citate studiuesish fetarë dhe debate publike kundër ekstremizmit të dhunshëm duke shenjëstruar posaçërisht rreshtimin e disa besimtarëve ndaj grupeve ISIS dhe Al Nusra.

Keqkuptime për rrymat fetare

Se kush është kush në shkollat dhe rrymat e ndryshme islamike dhe kush përfaqëson çfarë, është një çështje e ndërlikuar. Vetëm islami sunit, apo i ashtuquajturi Vahabizëm si rrymë brenda tij, mjaftojnë për t’u trajtuar në vëllime të shumta akademike, të cilat sërish mund të mos mjaftonin.

E thënë tepër shkurt, sipas studiuesve të ndryshëm jofetarë dhe orientalistëve, Muhamed ibn Abdul-Vahabi (1703-1792) nisi një lëvizje në atë që sot njihet si Arabia Saudite, për ‘purifikimin e fesë’ nga risitë thelbësore duke pretenduar se diçka e tillë ishte një kthim në islamin origjinal të Profetit Muhamed dhe ndjekësve të tij të afërt.

Ndonëse nuk ka asnjë provë se ibn Abdul Vahabi bëri thirrje për krime apo për xhihad luftarak ndaj ndjekësve të rrymave të tjera islamike të konsideruara si devijime apo ndaj besimeve të tjera, megjithatë, shpesh ideologjia që frymëzon ekstremizmin e dhunshëm fetar i atribuohet vahabizmit.

“Për më tepër që termi ‘vahabizëm’ duhet të jetë shpikur nga jomyslimane, me gjasa nga njerëz që nuk e njohin arabishten, sepse përndryshe duhet të ishte quajtur ‘Muhamedizëm’,” thotë Shala pa e fshehur një dozë të lehtë ironie.

Në fakt, ibn Abdul-Vahab do të thotë “djali i Abdul-Vahabit”, ndërsa vetëm Abdul-Vahab, mund të shqipërohet në diçka si “Shërbëtori i Më Bujarit” apo i atij që jep më të mirën pa marrë diçka mbrapsht pa asnjë interes.

Si rrjedhojë, Vahab është një nga shumë emrat e Zotit në gjuhën arabe, ndërsa Abdul është robi apo shërbëtori i tij, çka do të thotë se termi “Vahabizëm” përbën një lloj sakrilegji i përdorur në këtë formë nga myslimanët sepse shpërdor një nga emrat e Zotit. Ndaj spekulimi se ndonjë anglez apo dikush tjetër mund ta ketë farkëtuar i pari këtë term, ka një farë merite edhe pse i pavërtetuar.

Terminologjia për myslimanët konservatorë që mbajnë mjekra është e paqartë dhe është objekt spekulimi të madh, madje edhe në materiale zyrtare, duke i veshur Salafistëve (term tjetër për Vahabist), për shembull, cilësi që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm.

“Ekstremistët synojnë ta zbatojnë fenë sipas ligjeve dhe rregulloreve strikte sipas vështrimit të tyre të sheriatit dhe shpalljen e Kalifatit si qëllim final. Ndaj, ata rrezikojnë të çrrënjosin mësimet tradicionale që janë tepër tolerante dhe racionale të methebit Hanefi dhe po i zëvendësojnë ato me mësime më ekstreme dhe irracionale të doktrinës Salafi”, thuhet në strategjinë e qeverisë së Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Është e paqartë se ku është bazuar qeveria e Kosovës për të arritur në këto përfundime, të cilat tingëllojnë më shumë si slogane sesa si vlerësime me prapavijë analitike.

Gjithashtu, Shpend Kursani, studiues i çështjeve të sigurisë dhe ekstremizmit të dhunshëm, thotë se “Vahabizmi” është një nga ato terma që vazhdimisht është keqpërdorur në Kosovë pas luftës, dhe në Ballkan për afër dy dekada.

Në Kosovë, “Vahabizmi” ka këto domethënie: “radikal”, “Islam radikal”, “mjekër e gjatë”, “mbulesë e kokës”, “ekstremist”, “ekstremist i dhunshëm”, “ISIS”, “Al-Kaida”, e shumë të tjerë, thotë Kursani.

Sipas Kursanit, ky term është përdorur nga anëtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për t’i rrënuar kundërshtarët e tyre brenda atij institucioni, por jo vetëm. “Është përdorur nga disa njerëz të publikut për ta shkatërruar gjithkënd që nuk duket si ‘mysliman liberal’. Se a janë ata ‘ekstremistë të dhunshëm’ të vërtetë rrallë ka qenë e rëndësishme”, thotë Kursani në analizën e botuar në Gazetën JNK.

Komentoni