Lajme

Uzurpatorët në veri, më të fortë se shteti

Nga rreth 500 banesa, që ishin evidencuar të uzurpuara nga serbët në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan, tani kanë mbetur pa u shitur rreth gjysma e tyre. Pronarët shqiptarë të banesave, por edhe të shtëpive dhe pronave tjera, të uzurpuara paraprakisht nga serbët, janë paguar me shuma marramendëse të mjeteve nga Qeveria e Serbisë nëpërmes uzurpatorëve.

Mbi 500 banesa në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan janë regjistruar të uzurpuara menjëherë pas përfundimit të luftës në vend.

Uzurpatorët serbë kishin hyrë në banesa të shqiptarëve në veri gjatë luftës, por edhe pas dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës, më 2 shkurt të vitit 2000, pas një fushate të egër të grupeve kriminale serbe të veriut të Mitrovicës që udhëhiqeshin nga Oliver Ivanoviq, i cili është dënuar me 9 vjet burg për “Krime ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës”, si dhe nga Dragan Delibashiq, një oficer i MUP-it serb, gjithashtu i akuzuar për “Vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbimin e shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës në shkurtin e vitit 2000”.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ende nuk ka arritur që t’i lirojë edhe 116 asete nga uzurpatorët, ndonëse një aksion të tillë bashkë me Policinë dhe Prokurorinë e kishin nisur në prill të këtij viti.

Më së shumti ndërmarrje shoqërore me uzurpatorë kanë mbetur në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht 27 asete të uzurpuara në veri të Mitrovicës, 4 ndërmarrje të uzurpuara në Mitrovicën Jugore, 9 në Leposaviq, 2 në Zubin Potok, 10 në Vushtrri dhe 5 në Skenderaj.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk kanë dhënë arsye për gazetën “Zëri” se pse nuk është ndërmarrë ende ndonjë aksion për lirimin e pronave edhe në veri të vendit.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka thënë se aksione për dëbimin e uzurpatorëve do të ndërmerren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim.

Ai thotë se me ndihmën e Policisë së Kosovës Agjencia ka liruar 154 prona që kanë qenë të uzurpuara, ndërsa 76 raste, sipas tij, uzurpatorët i kanë liruar vetë ato, shkruan Zëri.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*