Lajme

Unioni i Studentëve: Priftërinjtë serb mos provokojnë studentët

Kryetari i Unionit të Studentëve të Kosovës, Arben Mehmeti, ka reaguar në emër të institucionit që ai përfaqëson, në lidhje me aksionin e sotëm të studentëve afër kishës ortodokse serbe që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Mehmeti ka ftuar Qeverinë e Kosovës, Kuvendin si dhe komunën e Prishtinës që sa më parë të zgjidhin problemin objektit “të jashtëligjshëm në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, objekt ky i ndërtuar gjatë kohës së fashizmit të Milloshoviqit”.

“… dhe të mos lejojnë priftërinjtë serbë të provokojnë durimin e studentëve duke tentuar rimëkëmbjen e objektit pa leje të quajtur Kishë si dhe tendencat e këtyre priftërinjve që të mbajnë meshë në objektin që gjendet në Kampusin Universitar”.

“Hapësira në oborrin e Universitetit i takon vetëm studentëve dhe askujt tjetër”, thuhet mes tjerash në këtë reagim.

USK thotë se nëse nuk merren masa nga ana e institucioneve të shtetit, “ne si studentë nga të gjitha universitetet publike dhe private në Republika e Kosovës do të organizohemi në protesta gjithë studentore për të kundërshtuar uzurpimin e hapësirës që na takon ne si studentë”.

Ata thonë se nuk janë kundër institucionit të Kishës Ortodokse, por “kundër uzurpimit të hapësirës sonë për të vendosur objekte fetare të cilës do fe”.

“Po ashtu i bëjmë thirrje Rektorit dhe organeve të Universitetit të Prishtinës që menjëherë të reagojnë dhe të kërkojë nga komuna e Prishtinës që sa më parë të kthejnë pronën e Universitetit e cila është uzurpuar nga Kisha Ortodokse gjatë kohës milloshoviqiane”, ka përfunduar reagimi i tyre. 

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*