Ekonomi

UNDP dhe Komuna e Shtërpcës ndihmojnë prodhuesit e mjedrave

Komuna e Shtërpcës dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) nënshkruan sot një marrëveshje për bashkë-financim për të ndihmuar një numër më të madh të banorëve lokal t’i përmirësojnë fermat e tyre të mjedrave dhe t’i zgjerojnë aktivitetet ekonomike në këtë fushë.

Në prani të donatorit të përfaqësuar nga kreu i Administratës së Zyrës Koordinatore për Bashkëpunim Teknik brenda ambasadës së Austrisë në Kosovë, z. Arsim Aziri, marrëveshjen e nënshkruan nënkryetari i komunës Ivica Tanasijevic dhe koordinatorja e programit në UNDP, znj. Valbona Bogujevci.

Me këtë rast znj. Bogujevci deklaroi: “Një tjetër aspekt i rëndësishëm i projektit është edhe partneriteti shumë i ngushtë me komunat përkatëse ku, në këtë rast konkret, ato nuk janë vetëm përfituese por kanë një rol aktiv dhe kanë arrite që, gjatë periudhës së kohëzgjatjes së projektit, të ngrisin dhe përmirësojnë aftësitë e veta në ofrimin e shërbimeve si në fushën e biznesit ashtu edhe në fushat e tjera në nivel komunal. Vlen të ceket që rol të rëndësishëm në punësimin dhe aftësimin e banorëve në Shtërpcë dhe Dragash, ka pas komponenta e projektit “Pakti territorial i punësimit” që është një brend i ri i prezantuar për herë të parë përmes InTerDev-it e që paraqet një qasje moderne në krijimin e vendeve të punës”.

Edhe nënkryetari i komunës së Shtërpcës, Z. Tanasijevic u shpreh i kënaqur me këtë marrëveshje. Sipas tij, aktivitet e radhës të planifikuara përmes kontributit financiar nga komuna e Shtërpcës, të cilat do të zbatohet nga projekti InTerDev i UNDP-së, do të krijojnë edhe më tej mundësi të mëtutjeshme për krijimin e vendeve të punës për banorët e kësaj komune, duke u mundësuar familjeve vendase të përmirësojnë kushtet e tyre të punës, zgjerojnë fermat e mjedrave dhe krijojnë të ardhura shtesë.

Projekti InTerDev, i financuar nga Bashkëpunimi i Austrisë për Zhvillim (ADA) dhe i implementuar nga UNDP-ja, ka përkrahur komunat e Dragashit dhe Shtërpcës që nga viti 2014 në krijimin e vendeve të reja të punës dhe të ardhurave për familjet, si dhe për të përmirësuar gjendjen e shërbimeve publike. Projekti deri më tani ka krijuar mbi 670 vende pune për komunitetet lokale.

Kontributi i komunës së Shtërpcës nga marrëveshja e sotme kap vlerën prej 30,000 Euro të cilat do të ndihmojnë rreth 35 fermerë me pajisje moderne për të përmirësuar nivelin e prodhimit të mjedrave në këto anë. /KI/

Komentoni