Bota

Ukrainë: Shënohet masakra kundër mijëra hebrenjëve

Në Ukrainë po shënohet 75 vjetori i masakrës së periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të 33,771 hebrenjve në periferi të qytetit Kiev, të okupuar nga nazistët.

Vrasja e meshkujve, grave dhe fëmijëve hebrenj, më 29 dhe 30 shtator të vitit 1941, në luginën Babi Yar, ishte një shembull i hershëm i vrasjeve në shkallë të gjerë, që do të kryheshin nga nazistët në synimin e tyre për asgjësimin e hebrenjve.

Gjithsej, deri në 100 mijë njerëz ishin ekzekutuar atje gjatë luftës.

“Atje ka pasur hebrenj, romë, të burgosur sovjetikë të luftës dhe luftëtarë të lëvizjes çlirimtare të Ukrainës, në mesin e këtyre të ekzekutuarve nga njësitet e pushkatimit”, ka shkruar kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Hroysman, në rrjetin Facebook, dhe ka shtuar se “ne e përkujtojmë secilin prej tyre”.

Planifikohej që presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, të merrte pjesë në ceremoninë e përkujtimit, që udhëhiqet nga presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, sot më vonë gjatë mbrëmjes, por për shkak të vdekjes së ish-presidentit izraelit, Shimon Peres, ai e ndërpreu qëndrimin në Kiev.

Pardje, presidenti Rivlin u tha ligjvënësve të Ukrainës se “shumë prej krimeve ishin kryer nga ukrainasit”, veçanërisht nga pjesëtarët e Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase, që ishte strukturë paramilitare, gjatë Holokaustit, ku nga Gjermania Naziste janë vrarë sistematikisht afro 6 milionë hebrenj në gjithë Evropën.

Komentoni