Ekonomi

Ujësjellësi “Prishtina” paralajmëron borxhlinjtë me shkyçje

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, se nga muaji janar filluar me masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Si masë e parë ndëshkuese, është shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera.

Me shkyçje po përballet secili konsumatorë që ka dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Për këtë aksion KRU “Prishtina” ka angazhuar rreth 50 ekipe të shkyçjes, përfshirë edhe inspektorë.

“Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU ‘Prishtina’si Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth”, thuhet në njoftimin për media, përcjell Kosova.info.

Me qëllim të përmirësimit të shërbimit për ujësjellës dhe kanalizim, KRU ‘Prishtina’ u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitojnë shkyçjen nga shërbimet, sepse ato po bëhen më intensive çdo ditë e më shumë.

Gjithashtu, KRU “Prishtina”, u bën thirrje që të respektojnë në përpikmëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët dhe duke filluar nga data 1 shkurt 2018, të gjithë konsumatorët që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk iu janë përmbajtur Kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do të iu rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike.

Në fund, KRU “Prishtina” thotë se do të intensifikon aktivitetet që borxhet e mbetura të arkëtohen përmes Përmbaruesve Privat.

Komentoni