Kosova

UBO CONSULTING: Vetëvendosje kontraktoi disa pyetje për sondazhin

Kompania UBO Consulting e ka pranuar se sondazhi që nxori Vetëvendosjen si partinë e dytë dhe Albin Kurtin si të preferuarin e kosovarëve për Kryeministër, është kontraktuar pikërisht nga kjo parti opozitare. Fillimisht, VV tentoi ta shiste si të paanshëm këtë sondazh, por pas tri ditësh vetë kompania e pranoi trukimin e tij, kur, përmes një komunikate, iu referua Vetëvendosjes si “kliente” dhe pranoi publikisht se disa pyetje janë kontraktuar nga kjo parti

Sondazhi që befasoi për të gjeturat e tij, se gjoja Albin Kurti është i preferuari i kosovarëve për Kryeministër, del të jetë porositur nga Lëvizja Vetëvendosje. Këtë e ka pranuar vetë kompania, e cila kreu dhe publikoi sondazhin, javën që lamë pas. 

Por, “UBO Consulting” në një sqarim të saj drejtuar mediave, porosisë së Lëvizjes Vetëvendosje i është referuar si kontraktim me kompaninë në fjalë, që sipas tyre është klient i tyre. 

Gazeta Express sjell edhe sqarimin e termit “Kontraktoj (Kontraktohet)” sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe. 

“Kontraktimi i mallrave. Në bazë të kontraktimit. Kontraktimet midis ndërmarrjeve tregtare. Sistemi i kontraktimit. ek. sistemi i grumbullimit të prodhimeve bujqësore nga kooperativat bujqësore mbi bazën e leverdisë reciproke, me anën e të cilit shteti u siguron prodhuesve mallra të ndryshëm sipas nevojave dhe në përputhje me sasinë a vlerën e prodhimeve që dorëzojnë”, sqarohet domethënia e “Kontraktimit” në fjalorin shqip. 

I njëjti sondazh, që prej publikimit të tij, nuk është se u besua për shkak të rezultat dhe dyshimeve që u shfaqen menjëherë nga shfaqja në media. Madje, çudia në sondazh ishte edhe renditja e VV’së si partia e dytë në vend, në rast se zgjedhjet do të mbaheshin të dielen. Partia e parë thuhej të ishte PDK’ja me rezultat të ngushtë me të dytën. E e treta LDK’ja.  

Ky është sqarimi i kompanisë: 

Për: Mediat elektronike dhe të shtypit

Nga: Agjensioni UBO Consulting

Lënda: Sqarim për opinionin publik – “Sondazhi ishte pjesë e OMNIBUS-it”

Me qëllim të informimit të drejtë, dëshirojmë të njoftojmë publikun që disa nga rezultatet e sondazhit për preferencat politike të prezantuara në mediat elektronike me datë 24.09.2016, kanë qenë pjesë e shërbimit të rregullt hulumtues të titulluar OMNIBUS. Ky shërbim (OMNIBUS-i) është metodë sasiore e mbledhjes së të dhënave, ku të dhënat mbi çështje të ndryshme mblidhen në një anketë të vetme. Në këtë mënyrë, OMNIBUS paraqet metodë hulumtuese ku shpenzimet e hulumtimit ndahen në mes të klientëve të ndryshëm. Një hulumtim i tillë përmes OMNIBUS-it, zhvillohet nga UBO Consulting në baza të rregullta tre mujore.

Metodologjia e zhvillimit të OMNIBUS-it, është në linjë me standardet dhe parametrat statistikor, për matjen e perceptimit të qytetarëve mbi çështje të ndryshme socio-ekonomike dhe politike. Për përcaktimin e mostrës në këtë hulumtim është përdorur teknika e “mostrës së shtresuar me përzgjedhje të rastësishme”, duke përdorur teknikën e përzgjedhjes bazuar në datëlindjen e parë më të afërt për personat mbi moshën 18 vjeç. Mostra e OMNIBUS-it, ndahet në grupe më të vogla që njihen si shtresa – bazuar në karakteristikat e përbashkëta të pjesëtarëve të këtyre shtresave. Shtresimi i parë: është bërë në bazë të përkatësisë etnike, ku janë krijuar tri nën-grupe të ndryshme. Shtresimi i dytë: është bërë në bazë të vendbanimeve. Për secilën komunë është bërë shtrirja e mostrës në pjesët urbane dhe rurale, sipas statistikave zyrtare të Agjensionit të Statistikave të Kosovës. Shtresimi i tretë: është bërë në bazë të numrit të anketave të realizuara në secilin vendbanim (pikë startuese). Hulumtimi i opinionit publik përmes metodës OMNIBUS, bëhet me mostër prej 1065 të anketuarve në nivel vendi dhe ka nivel të besueshmërisë prej 95% me margjinë të gabimit prej +-3%.

Në kuadër të OMNIBUS-it të tretë me radhë për këtë vit, të zhvilluar në periudhën 3 deri më 14 Shtator 2016, kanë marrë pjesë disa klient të ndryshëm, fokusi i të cilëve ka qenë për tema të ndryshme socioekonomike dhe politike.

Agjencioni UBO Consulting, i dorëzon rezultatet e pyetjeve specifike për secilin klient, duke mbrojtur privatësinë dhe konfidencialitetin mbi pyetjet dhe rezultatet e secilit klient. Konkretisht, UBO Consulting nuk i bën publike rezultatet nga shërbimi OMNIBUS në asnjë rrethanë, pasi që ato informata janë në pronësi të klientëve. Njëri nga klientët e përfshirë në këtë cikël të OMNIBUS-it ka qenë Lëvizja VETËVENDOSJE, e cila ka kontraktuar një numër të caktuar të pyetjeve.

Agjencioni UBO Consulting gjatë periudhës shumëvjeçare ka kryer një numër të madh të hulumtimeve në fushën e matjes së opinionit publik dhe atë për organizata të ndryshme ndërkombëtare, OJQ, parti politike, biznese, mediume dhe donatorë. Agjensioni UBO Consulting ka ruajtur pavarësinë profesionale duke respektuar etikën e punës, kriteret profesionale dhe shkencore, dhe përgjegjësinë personale ndaj klientëve. Tregues më i mirë i kësaj është numri i madh i klientëve të kënaqur me punën tonë dhe numri
i madh i anketave të zhvilluara përgjatë viteve. 

Me respekt, UBO Consulting

Komentoni