Kosova

U shënua 18 Vjetori i QKRMT

Sot e 18 vjet më parë, u themelua Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Qysh nga themelimi i saj QKRMT vazhdon të jetë zëri më kumbues në artikulimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës dhe traumës, të shkaktuara si pasojë e luftës në Kosovë. Përmes shërbimeve profesionale rehabilituese, psiko-sociale dhe avokuese, QKRMT përherë ka qëndruar pranë viktimave, duke avancuar respektimin e të të drejtave e tyre.

Sot, në shënimin e 18 vjetorit të themelimit, ambientet e punës së QKRMT u vizituan nga një grup nxënësish të SHFMU ‘Naim Frashëri’ në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite, nxënësit panë nga afër punën e QKRMT-së, dhe morën njohuri bazike për grupet e margjinalizuara të shoqërisë siç janë: të mbijetuarit e torturës, të mbijetuarit e dhunës seksuale, personat e privuar nga liria etj. Qëllimi i kësaj vizite ishte, familjarizimi i nxënësve (gjenerata e ardhshme e mbrojtësve të të drejtave të njeriut) me konceptet bazike mbi të drejtat e njeriut, si dhe vetëdijesimi i tyre mbi qasjen dhe trajtimin e këtyre grupeve shoqërore.

Ndër tjerash, QKRMT sot organizon punëtorinë mbi prezantimin/përdorimin e formularit, për aplikim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky trajnim organizohet për anëtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Sekretariatin, anëtarët e departamentit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës (DFIDL), si dhe OJQ-të e autorizuara.

Përgjatë 18 vjetëve punë, QKRMT ka ofruar shërbime interdiciplinare për mijëra persona, mbi 300 të mbijetuar të dhunës seksuale janë regjistruar dhe marrin shërbime në QKRMT. Gjithashtu, pas 18 vjetëve angazhim të vazhdueshëm, më në fund, me ligj është njohur statusi i viktimave të dhunës seksuale si viktima civile të luftës.

Në fushën e avokimit, pas shumë përpjekjeve përmes fushatave e aktiviteteve vetëdijesuese dhe dialogut intensive me autoritetet shtetërore, QKRMT arriti të ndikojë në përmirësimin e performancës ligjore e institucionale në ofrimin e shërbimeve për shumë kategori të personave në nevojë. Gjatë këtyre viteve QKRMT, ka adresuar mbi 400 letra avokuese tek institucionet vendore dhe lokale; mbi 100 rekomandime për aktet ligjore dhe nënligjore u janë dërguar institucioneve, si dhe janë realizuar mbi 500 vizita monitoruese nëpër institucionet korrektuese, qendra të ndalimit si dhe institucionet e shëndetit mendor dhe kujdesit social. Po ashtu, përkushtim i veçantë i është kushtuar mbrojtjes së azilkërkuesve dhe refugjatëve; QKRMT ka monitoruar dhe asistuar përmes shërbimeve të profesionalizuara psikosociale mbi 600 persona si: azilkërkues, refugjatë, të kthyer, të zhvendosur si dhe persona pa shtetësi.

QKRMT, me përkrahjen e partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare e vendore ndër vite, është rritur dhe profesionalizuar në punën e saj, duke luftuar të gjitha format e keqtrajtimit dhe torturës në Kosovë. Sot, qëllimi themelor i QKRMT mbetet trajtimi dhe rehabilitimi për viktimat e torturës, ndërtimi i kapaciteteve menaxhuese dhe profesionale të institucioneve publike, ngritja profesionale dhe zgjerimi i shërbimeve në ndihmë dhe promovim të të drejtave të njeriut ndaj  viktimave të të gjitha etniteteve në Kosovë.

Pas 18  vjetëve përvojë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, SOT, misioni dhe vizioni i QKRMT është mjaft i qartë dhe i konsoliduar – promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut duke luftuar çfarëdo forme të shkeljes apo abuzimit me to dhe synimin e një shoqërie ku tortura, abuzimi me të drejtat e njeriut të jetë pjesë e të kaluarës në Kosovë.

QKRMT, në këtë ditë të shënuar, dëshiron të shprehë mirënjohjet më të thella të gjithë bashkëpunëtorëve që dedikuan energjinë, punën dhe profesionalizmin, për të bërë të mundur ngritjen dhe avancimin e QKRMT  në këtë pikë.

Urojmë që vizioni ynë për një shoqëri pa torturë dhe çfarëdo forme të keqtrajtimit apo shkeljes së të drejtave të njeriut, të jetë një realitet jo shumë i largët. QKRMT, me stafin dhe bashkëpunëtorët e saj është e zotuar të punojë për ta quar misionin e saj përpara. /KI/

Komentoni