Kosova

U ngrit aktakuzë për të sepse kishte thënë se “ende ka shqiptarë të pagjetur”, merr fund saga e Arsim Cenajt

Sot, pas 13 muajsh, nga koha kur ishte ngritur aktakuza nga Prokuroria Themelore në Pejë – dega në Deçan, për veprën penale nxitje e urrejtjes, ka marrë fund saga e Arsim Cenajt, nga fshati Lloshan i komunës së Deçanit.

Cenaj, gjatë një takimi në Kuvendin Komunal të Deçanit, në të cilin ishin mbledhur përfaqësues të kësaj komune, policisë, KFOR-it, organizatave të huaja dhe qytetarë të zhvendosur të Deçanit, nga komuniteti serb, kishte kërkuar që të zbardhet fati i 86 të zhdukurve nga fshati i tij, gjatë periudhës së luftës.

Ai ndër të tjera kishte kërkuar, që të zhvendosurit të ndihmojnë në këtë proces, duke kritikuar institucionet komunale, KFOR-in dhe policinë, duke shtuar se nëse nuk gjinden të zhdukurit, do të thërras protestë të familjeve të të zhdukurve.

Menjëherë pas kësaj, ai ishte larguar në afërsi të Kuvendit Komunal, për të pirë kafe, mirëpo policia e alarmuar kishte nxjerrë të zhvendosurit nga salla, duke i larguar nga aty, por në të njëjtën kohë e kishte kërkuar edhe Arsimin, duke e ndaluar në ndalim policor.

Lidhur me këtë, Kujtim Kërveshi, avokat i angazhuar në mbrojtjen e Arsim Cenajt, ka thënë për Telegrafin se pasi është lexuar aktakuza në gjykatë, pala mbrojtëse kanë kërkuar provat, që nuk ka i ka ofruar prokuroria.

Sipas tij, ata e kanë kundërshtuar aktakuzën, dhe pas kësaj të njëjtën e ka rrëzuar gjykata. Të njëjtin vendim e ka marrë edhe Gjykata e Apelit.

Kërveshi, në profilin e tij në Facebook, pas vendimit, ka shkruar se “ka përfunduar saga e një procesi absurd kundër të mbrojturit të tij, Asim Cenaj, duke ia shtuar sipas tij, edhe një aktakuzë, numrit të aktakuzave paushalle, të pakuptimta, të kundërligjshme dhe linçuese”.

“Ky shtet duhet seriozisht të kujdeset për sektorin e drejtësisë, sektor ky që ka tendencë të kthehet në ‘armë’ për të bërë gjahun ndaj qytetarëve të vet. Për mbrojtjen ka qenë një nga ato raste ku sfida më e madhe ka qenë kontrolli emocional krahasuar me ballafaqimin e argumenteve ligjore, meqë prokuroria nuk kishte asnjë provë. Kam supozuar se fati i të zhdukurve në Kosovë, Cenaj dhe Deçani nuk ishin zgjedhur rastësisht për tu bërë temë e kësaj natyre, dhe konsideroj se as sot e as atëherë “disiplinimi” për t’i kërkuar të zhdukurit nuk mund të bëhet, duke futur prokurorinë si mjet në mes lirisë dhe dhimbjes për të zhdukurit, duke krijuar procese ligjore paushalle”, ka shkruar ai.

Komentoni