Lajme

Edhe 1666 të pagjetur, familjarët të zhgënjyer me institucionet

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është mbajtur sot tryeza me temën: Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur – rasti i Kosovës”, për shënimin e 30- gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.

Tryeza u organizua nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, me qëllim të sensibilizimit, ndërgjegjësimit dhe informimit të drejtë të opinionit vendor dhe ndërkombëtar, për procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë kësaj tryeze u tha se Kosova akoma pret zbardhjen e 1.666 personave të zhdukur, si pasojë e luftës së vitit 1998-1999.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, persona të pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi, në fjalën e saj, tha se Kuvendi i Kosovës, në vitin 2011 ka miratuar Ligjin për persona të zhdukur, si dhe ligje tjera që kanë të bëjnë me kujdesin për kategoritë e prekura nga zhdukja e familjarëve, duke sqaruar se për këtë çështje Kuvendi pati nxjerrë rekomandime. Ajo tha se kryesit e këtyre krimeve duhet të nxirren para drejtësisë. Sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ajo tha se duhet të insistohet më tutje dhe të ushtrohet trysni më e madhe në këtë drejtim.

Kryetari i delegacionit të Kosovës, grupi i punës për persona të zhdukur, Ibrahim Makolli, ndërkaq, tha se çështja e fatit të të zhdukurve nuk ka zënë vend meritor në agjendat e institucioneve vendore dhe as atyre ndërkombëtare.

“Apelojmë te bashkësia ndërkombëtare që ta shtojë trysninë mbi Beogradin, për të hapur arkivat e ushtrisë, të policisë dhe të administratës shtetërore, sepse besojmë se aty fshihen të dhënat e plota për fatin e të zhdukurve”, tha Makolli, duke shtuar se po të kishte vullnet më të madh të faktorit ndërkombëtar, kjo çështje do të merrte një kah pozitiv.

Ndërsa, Thomas Gnocchi, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, mes tjerash tha se duhet të punohet më shumë në drejtim të informatave për të zbuluar fatin e personave të zhdukur. Ai shtoi se BE-ja përpiqet të ofrojë fonde dhe mbështetje për zbardhjen e fatit të pagjeturve.

Ndërkaq, Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve, tha se edhe pas 17 vjetësh, ata kanë të njëjtat shqetësime, dhimbje e pritje, dhe se edhe ky gusht po i gjen në të njëjtën gjendje.

“Të sillen para drejtësisë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në zhdukjen e  familjarëve tanë. Adresa për zbardhjen e fatit të tyre është Beogradi. Përfaqësuesit ndërkombëtarë duhet t’i bëjnë presion Serbisë dhe ta detyrojnë atë t’i hapë arkivat”, tha ai.

Më pas, fjalën e morën edhe përfaqësues të tjerë të shoqatave dhe familjeve të të pagjeturve, të cilët shprehën shqetësimet e tyre që edhe 17 vjet pas luftës, fati i personave të zhdukur vazhdon të jetë i pazgjidhur, ndërsa kërkuan angazhim më të madh institucional, vendor e ndërkombëtar, që kjo çështje të zgjidhet sa më parë.

Pas diskutimeve, u lexuan konkluzionet, të hartuara nga grupi i caktuar për këtë çështje, me mundësinë që ato të plotësohen.

Në konkluzionet e lexuara, kërkohej adresimi i një shkrese Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë, nga ana e Komisionit përkatës parlamentar të Kosovës, nëpërmjet të cilës të pasqyrohet çështja e fatit të të pagjeturve. U kërkua gjithashtu, që shënimi i 30-gushtit, në të ardhmen, të bëhet në formate të tjera, si dhe zbatimi i rezolutave të miratuara nga Kuvendi. Në konkluzionet e lexuara, u kërkua, po ashtu, inicimi i plotësim-ndryshimi i Ligjit për persona të zhdukur dhe bartja e përgjegjësive nga ndërkombëtarët te vendorët, lidhur me çështjen e të pagjeturve. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*