Kosova

U mbajt takimi tre palësh mes zëvendësministrave të Punëve të Brendshme

Në Republikën e Maqedonisë u mbajt takimi tre palësh mes zëvendësministrave për Punë të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, z. Agim Nuhiu, zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Nehat Mustafa dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, z. Stefan Çipa. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtorët e departamenteve të kufirit të policive të tri vendeve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i Republikës së Maqedonisë, z. Agim Nuhiu, theksoi se qëllimi i takimit tre palësh është bashkëpunimi ne mes tre vendeve me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve për zbatimin e rendit dhe ligjit. Ai tha se ka një bashkëpunim të mirë me dy vendet, mirëpo do të punohet që të intensifikohet edhe më tej ky bashkëpunim.

Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Nehat Mustafa,  tha se është në interes të Republikës së Kosovës, që me të dyja vendet të ketë raporte shumë të mira si fqinjësore dhe të bashkëpunimit në luftimin e krimit transnacional, në shkëmbim të informacioneve, në mënyrë që të bëhet luftë më efikase ndaj krimit të organizuar.

“Kriminelët nuk kanë përkatësi etnike as fetare, prandaj është shumë i rëndësishëm ky bashkëpunim mes të tri vendeve, që të arrijmë rezultate konkrete në zvogëlimin e mundësisë së krimineleve që të veprojnë lirshëm brenda territoreve tona”, tha Mustafa.

Zëvendësministri Mustafa vuri në duke se është e rëndësishme që edhe më tej mes tre vendeve të shkëmbehen informata sa i përket dyshimeve për elementë të terrorizmit dhe luftëtarëve të huaj. Ai tha po ashtu se është shumë e rëndësishme që të bashkëpunohet edhe sa i përket krimit kibernetik, i cili është prezent në shumë vende dhe ne si rajon nuk mundë të jemi imun.

Ndërsa zëvendësministri i Republikës së Shqipërisë, z Stefan Çipa, theksoi është shumë e rëndësishme bashkëpunimi i policive të tria vendeve në luftimin e krimit të organizuar, pasi kur elementë të krimit na shohin që jemi bashkë, ai fillon të tkurret.

Pas përfundimit të takimit, delegacioni tre palësh vizituan monumentet kulturo-historike, në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë. /KI/

Komentoni